Shkëndija e Tetovës ka përforcuar repartin ofensiv me një nga golashënuesit më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.
Kuqezinjtë po zhvillojnë një afat kalimtar dimëror të fokusuar te futbollistët me përvojë dhe kontribut të menjëhershëm, njofton Telegrafi.
Anëtari më i ri i Shkëndijës së Tetovës është Fahd Nzengue, i cili i bashkohet Shkëndijës si lojtar i lirë, pas shkëputjes së kontratës me Brera Strumicën. Sulmuesi nga Gaboni, në gjysmën e parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, zhvilloi 16 ndeshje dhe realizoi tetë gola, duke u renditur mes realizatorëve më efikasë të kampionatit.
Nzengue ishte transferuar te Brera dimrin e kaluar, ndërsa edhe në edicionin paraprak në elitë kishte shënuar gjashtë gola, duke dëshmuar vazhdimësi në paraqitje dhe efikasitet.
Në karrierën e tij, Nzengue ka nisur nga Munana në Gabon, ndërsa sfida e parë evropiane për të ishte Tabor Sezhana në Slloveni. Më pas ka qenë pjesë edhe e Primorjes. Pas një periudhe pa klub, në shkurt të vitit të kaluar iu bashkua Brerës, ku riktheu formën e tij më të mirë dhe tani ka siguruar një transferim te kampioni i Maqedonisë.
Nzengue është përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar dimëror, pas promovimit më herët të Drilon Islamit, i cili erdhi nga radhët e CFR Cluj. /Telegrafi/