Bashkim Gashi është dënuar me 10 vjet burgim për sulmin me thikë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së mitur në Prizren, pasi Gjykata e Apelit ka vendosur t’ia ashpërsojë dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren e kishte dënuar Gashin me 7 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së Prokurorisë Themelore, rasti u shqyrtua nga Departamenti për Krime të Rënda i Apelit, i cili vendosi që dënimi të rritet në 10 vjet.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli vlerësoi se faktet e rastit ishin vërtetuar drejt nga gjykata e shkallës së parë, por dënimi i shqiptuar nuk ishte në përputhje me peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, si dhe pasojat e saj.
Ngjarja kishte ndodhur më 17 tetor 2025 në Prizren. Të dyja viktimat kishin marrë lëndime të rënda si pasojë e goditjeve me thikë dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Në dënimin e ri prej 10 vjetësh do të përfshihet edhe periudha që Gashi ka kaluar në paraburgim.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se aktgjykimi i plotë nuk do të publikohet, për shkak se çështja lidhet me një vepër penale të kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare.

