Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur poshtë mundësinë që demokratët të nisin procedurë për shkarkimin e tij pas fitores në zgjedhjet afatmesme, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të kundërta për vetë Partinë Demokratike.
Duke folur të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë që nga publikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Trump tha se nuk ishte aspak i shqetësuar për mundësinë e një procedure të re fajësimi (impeachment).
“Jo, jo, jo, aspak”, u përgjigj ai kur u pyet nëse e shqetësonte mundësia që demokratët të ndërmerrnin hapa për shkarkimin e tij, transmeton Telegrafi.
“Unë mendoj se kjo do ta shkatërronte Partinë Demokratike, sepse do të ishte një proces shkarkimi pa asnjë arsye. Për çfarë? Për faktin se kemi një vend të suksesshëm?”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump la të kuptohej se mund të bashkëpunonte me demokratët në Kongres, për sa kohë që ata nuk do të përpiqeshin të pengonin punën e administratës së tij.
“Me gjasë do të shkoj mirë me demokratët, përveç nëse duan të bëhen pengesë dhe të veprojnë në mënyrë destruktive. Por unë e kam fuqinë e vetos”, tha ai.
Gjatë paraqitjes së tij, Trump përjashtoi gjithashtu mundësinë e shkarkimit të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, pavarësisht humbjeve të ndjeshme të republikanëve në zgjedhjet afatmesme. Presidenti ka fajësuar luftën me Iranin për rezultatin e dobët të partisë së tij.
“Jo, mendoj se ai po bën një punë shumë të mirë”, u shpreh Trump kur u pyet nëse po shqyrtonte zëvendësimin e Hegsethit, i cili ka mbështetur fuqishëm ndërhyrjen ushtarake kundër Iranit.
Deklaratat e presidentit vijnë pasi demokratët siguruan kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme, në kuadër të një vale fitoresh të partisë në disa pjesë të vendit. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

