Futbolli do të ketë sërish mundësinë ta shohë në fushë Ronaldinhon. Legjenda braziliane do të rikthehet në një ndeshje zyrtare më 15 nëntor, në përballjen mes Ravennas dhe Forlit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Bruno Benelli”, në orën 17:30.
Në moshën 46-vjeçare, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit do të luajë për herë të parë pas më shumë se një dekade, duke rikthyer vëmendjen e tifozëve te një prej emrave më të dashur të futbollit botëror.
Ravenna po përgatitet për një interesim të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, në stadiumin “Benelli” po ndërtohet një tribunë shtesë me rreth 1.800 ulëse. Klubi synon të tejkalojë shifrën prej 5.000 shikuesish, pasi rekordi aktual është 4.973 tifozë.
Trajneri Andrea Mandorlini ka shprehur dëshirën që Ronaldinho të bashkohet sa më shpejt me skuadrën për t'u përgatitur për derbin.
“Është një rikthim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me interes të madh sportiv. Po rikthehet një kampion i madh dhe mezi pres ta shoh në fushë para 15 nëntorit, në mënyrë që të përgatitemi për ndeshjen kundër Forlit”, u shpreh Mandorlini.
Ronaldinho ndërkohë vazhdon përgatitjet në Brazil. Ai ka publikuar edhe një video duke luajtur footvolley në plazh, ku tregoi se teknika dhe ndjeshmëria e tij me topin mbeten të veçanta.
Më 15 nëntor bota e futbollit do t’i ketë sërish sytë te magjistari brazilian. /Zëri

