Rritja e pranisë së kafshëve të egra në zonat e banuara po vazhdon të shkaktojë shqetësim dhe frikë për banorët e rajonit të Deçanit.
Së fundmi, një arushë së bashku me të vegjlit e saj ka zbritur nga malet në fshatin Pobërgjë, duke u afruar krejtësisht pranë oborreve të shtëpive, siç dëshmohet edhe nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë.
Pamjet e kapura gjatë natës shfaqin qartë lëvizjen e kafshëve të egra në afërsi të zonave të banuara, duke ngritur alarmin për sigurinë e qytetarëve.
Kjo ngjarje pason vëzhgimet dhe fotografimet e mëparshme të arinjve pranë vendbanimeve, çka ka detyruar banorët lokalë të lëshojnë thirrje urgjente për kujdes të shtuar.
Duke qenë se ky rajon shquhet për pyje dhe se aktualisht është sezoni i mbledhjes së gështenjave, banorët e të gjithë rajonit të Deçanit janë paralajmëruar të jenë jashtëzakonisht të vëmendshëm gjatë lëvizjeve të tyre në zonat pyjore dhe periferike.
Apeli thekson se qytetarët nuk janë të vetëm në natyrë, pasi prania e arinjve me të vegjël përbën një rrezik potencial direkt për sigurinë fizike, duke kërkuar vigjilencë maksimale nga secili banor. /Telegrafi/

