KORREKT / SOT5 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Vulin lajmërohet nga Moska

Vulin lajmërohet nga Moska

Aleksandar Vulin, kryetar i Lëvizjes Socialiste dhe drejtues i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë Srbijagas, ka reaguar nga Moska pas raportimeve se ishte larguar nga Serbia.

Ai mohoi se kishte ikur nga vendi, duke akuzuar autoritetet e reja për, siç tha, gënjeshtra dhe ushtrim presioni politik.

“Pas një nate të tërë të keqtrajtimit nga pushteti i ri, ja ku jam, megjithatë në Moskë. Kjo ishte një natë gënjeshtrash dhe dhune, gjatë së cilës pretendonin se në një çantë të vogël shpine kisha transportuar miliona euro dhe dhjetëra kilogramë ar”, deklaroi Vulin.

Ai tha se, sipas tij, disa qindra udhëtarë në aeroplan ishin keqtrajtuar për shkak të interesave politike.

Vulin mohoi gjithashtu se ishte larguar nga Serbia për t’iu shmangur ndonjë kontrolli apo hetimi.

“Unë nuk kam shkuar askund, nuk kam ikur askund. Ata që publikojnë këto pretendime në Twitter ndoshta nuk kanë familje, sepse po të kishin fëmijë, do ta dinin se njeriu nuk mund të largohet pa fëmijët e tij. Mund të shkosh në një ndeshje, por nuk mund të jetosh pa djemtë e tu. Ashtu siç nuk mund të jetosh pa Serbinë”, tha ai.

Pse u kthye aeroplani i Air Serbias nga Moska?

Rasti lidhet me një incident të ndodhur të martën në mbrëmje, kur aeroplani i Air Serbias, me numër fluturimi JU134, i cili ishte nisur nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd drejt Moskës, u kthye në kryeqytetin serb.

Aeroplani kishte hyrë tashmë thellë në hapësirën ajrore evropiane, pranë kufirit ndërmjet Lituanisë dhe Bjellorusisë, kur u mor vendimi për kthimin e tij.

Prokuroria e Tretë Themelore Publike në Beograd ka konfirmuar se do të kryejë verifikime shtesë lidhur me këtë ngjarje.

Sipas njoftimit të prokurorisë, një prokuror kujdestar ishte informuar atë mbrëmje nga policia se kërkesa për kthimin e aeroplanit ishte bërë pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë.

Nga këto pamje ishte vërejtur se njëri prej udhëtarëve kishte kaluar kontrollin e sigurisë i shoqëruar nga një zyrtar i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), pa iu nënshtruar kontrollit të paraparë.

Në një raport policor të dorëzuar më vonë janë zbuluar edhe rrethana të tjera: gjatë kalimit të njërit prej udhëtarëve në kontrollin e sigurisë ishte aktivizuar alarmi, por pavarësisht kësaj, ai nuk ishte kontrolluar më tej.

Portali serb Nova.rs raportoi se udhëtari në fjalë ishte pikërisht Aleksandar Vulin.

Në aeroplan ndodheshin gjithashtu drejtori i Srbijagasit, Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popović.

Rrethanat e plota të kthimit të aeroplanit dhe pretendimet lidhur me kontrollin e sigurisë mbeten objekt i verifikimeve nga autoritetet serbe. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.