Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka theksuar se raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 ka vlerësuar progresin reformave në sektorin financiar dhe konfirmon qëndrueshmërinë e sektorit bankar në Kosovë.
Sipas BQK-së raporti vlerëson progresin e mirë në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit (Kapitulli 4), duke theksuar miratimin e legjislacionit për shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe zbatimin në masë të madhe të rekomandimeve të vitit paraprak.
Në fushën e shërbimeve financiare (Kapitulli 9), sipas BQK-së, Komisioni Evropian njeh progresin në disa reforma kyçe:
Përafrimin e legjislacionit bankar me standardet e Bashkimit Evropian;
Avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik përmes procesit SREP;
Forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave;
Modernizimin e kornizës për shërbimet e pagesave, në mbështetje të integrimit financiar evropian; dhe
Përpjekjet për forcimin e qeverisjes institucionale dhe transparencës së BQK-së.
“Komisioni Evropian konfirmon gjithashtu se sektori bankar ka vazhduar të zgjerohet duke mbetur i shëndoshë dhe i qëndrueshëm. Në fund të qershorit 2026, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 17.1%, ndërsa niveli i kredive joperformuese vetëm 2.0%, duke dëshmuar stabilitetin dhe kapacitetin e sektorit bankar për të mbështetur zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatë.

