Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë qëndrimit në Berlin të Gjermanisë, është takuar me ambasadorin Dr. Detlef Wächter, Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në NATO.
Përmes një postimi, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Një prej temave kryesore të diskutimit ishte shqyrtimi i mundësive për trajnimin, edukimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në shkollat dhe kurset e NATO-s.
Maqedonci ka bërë të ditur se me ambasadorin gjerman kanë diskutuar edhe për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.
Ai ka theksuar se Gjermania vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm strategjik i Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik.

