Kosova dhe Serbia kanë bërë pak përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë këtë proces, vlerëson Komisioni Evropian.
Në raportin e publikuar sot, theksohet se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.
E për situatën në veri thuhet se është e qetë, por megjithatë e brishtë, transmeton Klankosova.tv
“Gjatë periudhës së raportimit, situata në veri të Kosovës mbeti e qetë, por e brishtë. Veprimet dhe retorika që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve u shtuan.
Kosova ndërmori vazhdimisht veprime në kundërshtim me obligimet e saj në kuadër të dialogut ose veprime që minuan procesin e normalizimit. Këto përfshinin veprime policore dhe administrative ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimin e serbëve të Kosovës, si dhe refuzimin e dorëheqjeve të tërhequra nga gjyqtarët dhe prokurorët serbë të Kosovës, duke cenuar riintegrimin e tyre.
Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të thellë më 21 korrik dhe 28 gusht, përfshirë edhe për mungesën e përsëritur të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ që kjo pati në komunitetet lokale dhe qasjen e tyre në shërbimet themelore publike dhe sociale.
Nga ana tjetër, Serbia veproi vazhdimisht në kundërshtim me obligimet e saj sipas Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe Interpol. Këto veprime, së bashku me retorikën e përsëritur nxitëse të zyrtarëve serbë, vazhdojnë ta minojnë normalizimin e marrëdhënieve."
Në këtë pjesë përmendet edhe sulmi terrorist në Banjskë dhe dështimi i shtetit serb për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Bashkimi Evropian thotë se "Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës për të siguruar përgjegjësinë për sulmin e dhunshëm të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, të kryer nga sulmues të armatosur serbë të Kosovës kundër Policisë së Kosovës.” /Klankosova.tv

