UN-Habitat Kosova ka bërë të ditur se në Komunën e Ranillugut po mbahet një punëtori dyditore për vlerësimin e zbatimit të Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2012–2026, në kuadër të përgatitjeve për hartimin e planit të ri.
Sipas njoftimit të publikuar nga UN-Habitat Kosova në Facebook, në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues të Komunës së Ranillugut, institucioneve të nivelit qendror, komuniteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Punëtoria po zhvillohet me lehtësimin dhe mbështetjen teknike të UN-Habitat Kosovës, ndërsa qëllimi është të shqyrtohet se deri në çfarë mase janë realizuar veprimet dhe strategjitë e parapara në planin aktual, sa janë përmbushur objektivat dhe vizioni i tij, si dhe nëse dokumenti është në përputhje me kërkesat aktuale ligjore.
Gjatë punës në grupe, pjesëmarrësit po analizojnë disa fusha kryesore të zhvillimit komunal, përfshirë zhvillimin social dhe ekonomik, infrastrukturën dhe shërbimet, shfrytëzimin e tokës dhe mjedisin, si dhe aktivitetet që ndërlidhen me nivelin qendror.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zbatimit të planit në 13 vendbanimet e Komunës së Ranillugut, me synimin që vlerësimi të përfshijë nevojat dhe zhvillimet në të gjithë territorin e komunës.
Sipas UN-Habitat Kosovës, përmes këtij procesi synohet të identifikohen arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i planit aktual, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e dokumentit të ri.
“Vlerësimi synon të identifikojë arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i planit aktual, duke krijuar një bazë të rëndësishme për hartimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal, të mbështetur në të dhëna dhe në nevojat konkrete të komunës dhe komuniteteve të saj”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Hartimi i planit të ri pritet të mbështetet në rezultatet e këtij vlerësimi, në mënyrë që prioritetet dhe objektivat e ardhshme zhvillimore të përcaktohen duke marrë parasysh gjendjen aktuale dhe nevojat e banorëve.
Punëtoria organizohet nga Komuna e Ranillugut dhe UN-Habitat Kosova, ndërsa procesi i hartimit të Planit të ri Zhvillimor Komunal mbështetet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. /Telegrafi/

