Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën, në të cilin vlerëson se vendi ka shënuar progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, ndërsa thekson nevojën për një qasje më të koordinuar dhe rezultate më të qëndrueshme.
Sipas raportit, Kosova mbetet në një fazë të hershme të përgatitjes në këtë fushë, me disa përparime, por pa një kornizë të plotë strategjike për luftimin e korrupsionit, raporton lajmi.net
Komisioni Evropian vëren se numri i aktgjykimeve përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë është rritur. Megjithatë, në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë është shënuar rënie.

Në raport theksohet se Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse dhe një qasje e unifikuar për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Komisioni vlerëson se ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve është harmonizuar me legjislacionin më të fundit të Bashkimit Evropian. Po ashtu, raportet për sinjalizim të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit janë pothuajse dyfishuar, ndërsa është rritur edhe numri i rasteve të referuara në mënyrë proaktive.
Sa i përket deklarimit të pasurisë, raporti vlerëson se procesi po trajtohet në mënyrë të mirë, por kërkon verifikim më të fuqishëm të deklarimeve.
Planet e integritetit janë dorëzuar kryesisht brenda afateve, por zbatimi i tyre mbetet sfidë. Gjithashtu, vlerësimet e rrezikut të korrupsionit në sektorë të ndryshëm janë ende në proces.
Komisioni Evropian i rekomandon Kosovës që të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe zbatimin e planeve të integritetit, si dhe të miratojë Strategjinë Kundër Korrupsionit 2026–2028 dhe planin e veprimit.
Po ashtu, kërkohet përmirësim i cilësisë së hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë dhe forcim i kapaciteteve të Njësisë së Veçantë Hetimore, si dhe bashkëpunim më i mirë me Prokurorinë Speciale./Lajmi.net/

