KORREKT / SOT4 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Bankat në Kosovë me tregues të qëndrueshëm, BQK mirëpret vlerësimin e KE-së

Bankat në Kosovë me tregues të qëndrueshëm, BQK mirëpret vlerësimin e KE-së

Komisioni Evropian ka vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar në Kosovë dhe progresin e reformave ligjore, rregullative dhe institucionale në sektorin financiar, në raportin për Kosovën për vitin 2026.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se raporti njeh përparimin e vendit në përafrimin e kornizës ligjore dhe rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas BQK-së, Komisioni Evropian ka vlerësuar progresin në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit, veçanërisht miratimin e legjislacionit për shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në këtë drejtim, si zhvillim pozitiv është vlerësuar edhe përfshirja e dispozitave për Bankimin e Hapur (Open Banking) në Ligjin për Shërbimet e Pagesave, që synon avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare.

Një ndër vlerësimet kryesore të raportit ka të bëjë me gjendjen e sektorit bankar në Kosovë, i cili, sipas Komisionit Evropian, ka vazhduar të zgjerohet duke mbetur i shëndoshë dhe i qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të raportit, në fund të qershorit 2026, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit në sektorin bankar ishte 17.1 për qind, ndërsa kreditë joperformuese përbënin vetëm 2 për qind.

Raporti vlerëson gjithashtu progresin në përafrimin e legjislacionit bankar me standardet evropiane, përfshirë kërkesat për kapital, rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave. Në këtë kuadër, është vlerësuar edhe përcaktimi i BQK-së si autoritet përgjegjës për zgjidhjen e bankave.

Ismaili: Vlerësimet e KE-së konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se vlerësimet e Komisionit Evropian përbëjnë njohje të rëndësishme të reformave të ndërmarra dhe angazhimit institucional për ruajtjen e stabilitetit financiar.

“Vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe njohin progresin e reformave që po zbatojmë në kuadër të mandatit të BQK-së”, ka deklaruar Ismaili.

Ai ka theksuar se ndër prioritetet e institucionit mbeten avancimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, modernizimi i kornizës ligjore dhe rregullative, zhvillimi i sistemeve të pagesave dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.

“Jemi të përkushtuar të vazhdojmë me zbatimin e reformave dhe adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke ruajtur pavarësinë institucionale dhe duke kontribuar në integrimin financiar dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka theksuar guvernatori.

Në njoftimin e BQK-së bëhet e ditur se një tjetër fushë ku është evidentuar progres është zhvillimi i sistemeve të pagesave, përmes miratimit të Ligjit për Shërbimet e Pagesave.

Kjo reformë, sipas BQK-së, krijon bazë për zhvillimin e shërbimeve moderne të pagesave, rritjen e konkurrencës dhe inovacionit, si dhe përgatitjet për aplikim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

BQK ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e planit të saj strategjik, forcimin e mbikëqyrjes dhe stabilitetit financiar, si dhe bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për avancimin e reformave dhe integrimin evropian të Kosovës. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.