Sejdi Tolaj, një qytetar nga komuna e Deçanit, rrëfeu përvojën kur në Pobërgjë të Deçanit u doli një ari i madh.
Ai tregoi në detaje për këtë rast dhe u sugjeroi kujdes të gjithë atyre që mbledhin gështenja në këtë rajon.
“Të dielën, derisa ishim duke mbledhur gështenja së bashku me një familjar, në afërsi të një maje mbi fshatin Pobërgjë të Deçanit, rreth 10 metra larg nesh na u shfaq një ari i madh.
Familjari im, i cili ndodhej rreth 7–8 metra larg meje, i shqetësuar dhe i shtangur nga ajo që kishte parë, erdhi dhe më njoftoi se pas nesh ishte ariu.
Në atë moment, pa menduar gjatë, vendosa të largohem me vrap përmes një përrocke. Vrapuam për afërsisht 20 minuta dhe, fatmirësisht, ariu nuk na ndoqi. Shpëtuam pa pasoja!
Dua t’i paralajmëroj të gjithë ata që dalin për të mbledhur gështenja në këtë rajon që të kenë shumë kujdes dhe të mos dalin vetëm.
Një gjë tjetër që e bën situatën edhe më të rrezikshme është terreni: pyll kryesisht me bung, me shumë pak gështenja dhe vende-vende me pamje të kufizuar. Në rast të ndonjë incidenti, edhe gjetja e personit mund të jetë shumë e vështirë.
Kam edhe një pyetje për ju:
Si do të vepronit po të gjendeshit në një situatë të tillë? A do të largoheshit me vrap siç veprova unë, apo do të qëndronit dhe do të tërhiqeshit ngadalë?
Dhe një pyetje me pak humor: A është më mirë te thuhet këtu është vendi ku ka ikur Sejda, apo vendi ku Sejda ka humbur pa gjurmë nga ariu?
Do të doja t’i dëgjoja përvojat dhe këshillat tuaja, sidomos nga ata që kanë njohuri për sjelljen e arinjve.
KUJDES, SEPSE NË MAL NUK JEMI GJITHMONË VETËM!”, shkroi në Facebook, Sejdi Tolaj.

