KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

E quajti hajdute në rrjete sociale, Fitore Pacolli kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim nga Azdren Shala

E quajti hajdute në rrjete sociale, Fitore Pacolli kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim nga Azdren Shala

Ministrja e Ambientit, Fitore Pacolli, ka dëshmuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj analistit Azdren Shala, të cilin e ka paditur për shpifje dhe fyerje.

Shala ka munguar në seancën e sotme, ndërsa Pacolli ka dhënë deklarimin e saj para gjyqtarit Ibrahim Maloku, lidhur me postimet e analistit në rrjetet sociale.

Gjatë dëshmisë, Pacolli ka thënë se Shala e kishte quajtur “hajdute” në disa postime të publikuara në korrik të vitit 2025, në një kohë kur, sipas saj, ajo ishte përballur me sulme të shumta publike.

Ajo ka përmendur konkretisht postimet e datave 24, 25 dhe 26 korrik 2025, duke cituar disa nga deklarimet e analistit që i konsideron shpifje dhe fyerje ndaj saj.

Në njërin prej postimeve të 24 korrikut, Shala kishte shkruar: “Edhe Fitorja nana e padive dhe e hajnave e njejtë vazhdon, Fitorja dhe shumë të tjerë aty janë hajna ordiner këtu nuk bën me harrue”.

Ndërsa, duke iu referuar postimit të 25 korrikut, Pacolli ka cituar deklarimin: “Paramendone qe çfarë situate jemi, as Fitore Pacollin nuk guxojmë me i kallxu nër sy që është hajdute”.

Për postimin e 26 korrikut, ministrja ka thënë se Shala kishte vazhduar me fyerje dhe kishte ftuar edhe të tjerët që ta quanin atë “hajne”.

Sipas Pacollit, këto deklarime i kanë shkaktuar stres, kanë dëmtuar reputacionin e saj publik dhe kanë ndikuar edhe në gjendjen emocionale të saj dhe të familjarëve të afërt.

Ajo ka folur edhe për rastin që, sipas saj, kishte nxitur një pjesë të sulmeve publike ndaj saj, lidhur me pretendimet për ndërhyrje në Ministrinë e Bujqësisë në përzgjedhjen e fermerëve përfitues.

Pacolli ka deklaruar se Prokuroria i ka pushuar hetimet lidhur me këtë çështje, duke thënë se nuk kishte ndërhyrë apo ndikuar në rastet përkatëse.

Në fund të deklarimit, ministrja ka kërkuar që lënda të zgjidhet dhe Shala të marrë dënimin që ajo e konsideron të merituar. Ajo ka kërkuar 10 mijë euro kompensim për dëmin personal dhe publik që pretendon se i është shkaktuar nga deklarimet e analistit.

Pretendimet e Pacollit janë pjesë e procesit gjyqësor ndaj Shalës për shpifje dhe fyerje. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.