Sylejmon Jusufi është shpallur fajtor për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas njoftimit për media, ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton lajmi.net
Përveç dënimit, Jusufi obligohet të paguajë 200 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Këto pagesa duhet të kryhen brenda 15 ditësh, por jo më vonë se tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata ka përcaktuar se gjoba prej 8 mijë eurosh duhet të paguhet brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Në rast se i dënuari nuk mund ose nuk dëshiron ta paguajë atë, gjoba mund të zëvendësohet me burgim, duke llogaritur 20 euro për një ditë burg.
Pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest civil.
Ndaj aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, brenda afatit prej 30 ditësh./Lajmi.net/

