Çdo ditë në Kosovë, mesatarisht 10 persona marrin diagnozën e kancerit. Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregon se kanceri po prek gjithnjë e më shumë njerëz, dhe jo vetëm në moshë të shtyrë.
“Kanceri është bë si grip.” Këtë frazë e kemi dëgjuar shpesh. Shifrat zyrtare tregojnë se ajo nuk është krejt pa bazë, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas Raportit të Sëmundjeve Malinje për periudhën janar–dhjetor 2025, në Kosovë u raportuan 3,775 raste të reja me kancer.
Kjo i bie rreth 10 diagnoza në ditë dhe një incidencë prej 235.6 rastesh për 100,000 banorë.
Në vitin 2012 ishin raportuar 1,588 raste të reja, që do të thotë se numri është më shumë se dyfishuar në 13 vjet.
Nëse numërohen edhe pacientët e diagnostikuar më herët që u trajtuan ose u ndoqën gjatë vitit, sistemi shëndetësor regjistroi 5,564 persona me kancer në vitin 2025.
Pjesa e rritjes mund të vijë edhe nga raportimi më i mirë. Por vetë raporti pranon se jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rastet. Kjo do të thotë se numri real ka shumë gjasa të jetë edhe më i lartë.
Gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të reja: 1,927 nga 3,775. Kanceri i gjirit është larg i pari, me 592 raste, ose 31% e të gjitha kancereve te gratë.
Më shqetësuese është mosha. Një e treta e grave me kancer të gjirit (206 nga 592) ishin nën 50 vjeç, dhe raporti shfaq raste që në grupmoshën 25–29 vjeç. Në përgjithësi, gati gjysma e grave me kancer (49%) u diagnostikuan para moshës 60 vjeç.
Rastet e reja me kancer të gjirit te gratë sipas grupmoshës, 2025.
Kanceret më të shpeshta te gratë, 2025.
Në listë nuk është përfshirë kanceri i lëkurës që nuk është melanoma (211 raste), i cili zakonisht shërohet lehtë dhe shpesh përjashtohet nga krahasimet ndërkombëtare.
Te burrat kanceri vjen më vonë, por i lidhur fort me duhanin
Te burrat u raportuan 1,848 raste të reja. Ndryshe nga gratë, vetëm 14% e tyre ishin nën 50 vjeç, ndërsa 57% ishin mbi 65 vjeç. Numri i rasteve më shumë se dyfishohet te mosha 55–59 vjeç krahasuar me 50–54 vjeç (nga 78 në 179), shkruan Gazeta Shneta.
Kanceret më të shpeshta te burrat, 2025. * Raporti jep dy shifra të ndryshme për prostatën në dy tabela të ndryshme.
Dallimet mes gjinive janë të mëdha. Kanceri i mushkërive është 3 herë më i shpeshtë te burrat (243 kundër 72), ai i fshikëzës urinare gati 6 herë (176 kundër 31), ndërsa ai i laringut 52 kundër 4. Të tre janë të lidhur fort me duhanin.
Te burrat e rinj, 20–39 vjeç, mbi një e treta e rasteve janë kancere të organeve gjenitale, kryesisht kanceri i testisit.
Fëmijët nuk janë të kursyer. Në vitin 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë deri në 19 vjeç, afërsisht një në javë.
Çka e rrit rrezikun
Raporti i IKSHPK-së jep vetëm numrat, jo shkaqet. Megjithatë, për shumicën e këtyre kancereve shkenca i njeh mirë faktorët e rrezikut. Disa, si mosha dhe gjenetika, nuk ndryshojnë. Shumë të tjerë varen nga mënyra si jetojmë.
Faktorët e rrezikut dhe kanceret me të cilat lidhen. Burimet: OBSH, kanceri i mushkërive; NCI/NIH; IARC, 2013; IARC, 2016; OBSH Evropa, 2023; IARC, 2015; OBSH, HPV; OBSH, rrezatimi UV; NCI; CDC.
Për Kosovën, dy faktorë kanë peshë të veçantë: duhani, që shpjegon dallimin e madh mes burrave dhe grave te mushkëritë dhe fshikëza, dhe ndotja e ajrit gjatë dimrit, të cilën IARC e klasifikon në të njëjtën kategori shkaktarësh të kancerit me duhanin.

