Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës kanë bërë të ditur se sot në Policinë e Kosovës është raportuar rasti i kanosjeve dhe kërcënimeve të drejtuara ndaj ish-gazetares dhe aktivistes feministe, Anita Nikaj.
Anita Nikaj, së bashku me Drejtoren Ekzekutive të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe përfaqësuesen e Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, si dhe juristin e AGK-së, Yll Zekaj, janë paraqitur në Policinë e Kosovës për të parashtruar kallëzim penal për kanosjet dhe kërcënimet e vazhdueshme.
”AGK dhe RrGGK presin që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe urgjencë, si dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe përgjegjësinë e personave që qëndrojnë pas kërcënimeve”, thuhet në njoftim.
AGK dhe RrGGK theksojnë se linçimi publik, fushatat denigruese dhe kërcënimet nuk duhet të normalizohen.
AGK dhe RrGGK do të vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë anëtarëve të tyre dhe të reagojnë ndaj çdo forme të presionit, frikësimit, kërcënimit apo cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe grave në hapësirën publike. /Telegrafi/

