Një rrjet ndërkombëtar i dyshuar për mashtrime me investime online është goditur në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, ku janë arrestuar shtatë persona dhe janë mbyllur më shumë se 100 serverë. Operacioni është zhvilluar në disa shtete, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust), e cila ka njoftuar se gjatë operacionit janë kontrolluar 17 lokacione, përfshirë një qendër telefonike në Kosovë, transmeton Zeri.info.
Sipas Eurojust-it, rrjeti dyshohet se përdorte platforma online të tregtimit, të cilat dukeshin legjitime, për të mashtruar qytetarë në vende të ndryshme të botës dhe për t'i bindur ata të investonin shuma të mëdha parash.
Humbjet e vlerësuara nga kjo skemë mashtrimi kalojnë katër milionë euro.
Hetimi kishte nisur në vitin 2022, pasi një çift nga Gjermania kishte denoncuar se kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk kishte mundur t'i tërhiqte fitimet e pretenduara.
Mashtruesit premtonin fitime të mëdha brenda një periudhe të shkurtër përmes tregtimit të kriptovalutave, valutave të huaja dhe aksioneve. Fillimisht, viktimat investonin shuma të vogla dhe në platformë u shfaqeshin fitime të fryra, me qëllim që të krijohej përshtypja se investimi ishte i suksesshëm.
Më pas, personat që paraqiteshin si ndërmjetës ushtronin presion psikologjik ndaj viktimave për të investuar shuma edhe më të mëdha. Kur ato kërkonin të tërhiqnin paratë, përballeshin me pengesa dhe vonesa të ndryshme, derisa organizatorët zhdukeshin me paratë.
Hetimet zbuluan gjithashtu një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se ofronte shërbime për grupe kriminale, përfshirë ueb-faqe mashtruese që përdoreshin për realizimin e skemave të tilla.
Autoritetet identifikuan edhe klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të cilët dyshohet se operonin qendra telefonike për mashtrimin e investitorëve.
Në operacionin e fundit janë arrestuar shtatë të dyshuar, të cilët pritet të dorëzohen ose ekstradohen në Gjermani.
Në aksion kanë marrë pjesë autoritetet e Gjermanisë, Qipros, Finlandës, Shqipërisë, Izraelit, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Nga Kosova, operacioni është realizuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetime Financiare.
Eurojust ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dy ekipet e përbashkëta hetimore, të krijuara në kuadër të këtij institucioni, kanë qenë kyçe për zbulimin dhe goditjen e rrjetit kriminal. /Zëri

