Real Madridi ka në akademi një prej talenteve më premtuese të gjeneratës së re. Bëhet fjalë për Mikel Lopezin, sulmuesin 15-vjeçar që po mahnit me fizikun imponues dhe instinktin e jashtëzakonshëm për gol.
I cilësuar si një “mini-Haaland” për shkak të ngjashmërisë në profilin fizik dhe aftësinë për të shënuar, López është një prej xhevahirëve të akademisë së njohur të Real Madridit, La Fábrica.
Sulmuesi, i cili luan për ekipin Cadete A të madrilenëve, është vetëm 15 vjeç, por ka arritur një statistikë mbresëlënëse: 148 gola në pesë sezonet e tij me fanellën e klubit spanjoll.
Përveç golave, vëmendje të veçantë tërheq edhe shtatlartësia e tij prej 1.92 metrash, një karakteristikë që e bën veçanërisht dominues në duelet ajrore dhe brenda zonës së penalltisë.
Real Madridi e ka vlerësuar prej kohësh potencialin e tij dhe që në nëntor të vitit 2025 siguroi të ardhmen e sulmuesit, duke zgjatur kontratën për të larguar interesimin e klubeve të tjera. Megjithatë, një hap i rëndësishëm pritet në vitin 2027, kur ai të mbushë 16 vjeç dhe të ketë mundësinë të nënshkruajë kontratën e parë profesionale.
148 gola në pesë sezone
Shifrat e Lopezit në akademinë e Real Madridit janë të jashtëzakonshme. Në sezonin e kaluar, ai realizoi 37 gola me ekipin Cadete B.
Edhe më mbresëlënës ishte sezoni 2024/25, kur me ekipin Infantil A shënoi 43 gola dhe u bë golashënuesi më i mirë i gjithë akademisë së klubit madrilen. Në atë edicion, skuadra e tij fitoi kampionatin, ndërsa ai realizoi një pjesë të konsiderueshme të 138 golave të ekipit.
Paraprakisht, López kishte shënuar 38 gola në vitin 2023 me ekipin Infantil B, si dhe 30 të tjerë në sezonin 2022/23, kur ishte pjesë e Alevín A.
Ai kaloi shifrën e 100 golave në mars të vitit 2025, ndërsa tashmë ka arritur në kuotën e 148 realizimeve me fanellën e Real Madridit.
Kampion bote me Spanjën U-15
Talenti i tij është vërejtur edhe në nivel ndërkombëtar. López ishte pjesë e Përfaqësueses së Spanjës U-15 që fitoi Kupën e Botës së kësaj grupmoshe, duke realizuar gjashtë gola në turne.
Ai kishte regjistruar më parë 11 paraqitje me këtë përfaqësuese, po ashtu me gjashtë gola të shënuar. Në shtator, sulmuesi debutoi edhe me Spanjën U-16, në dy ndeshje miqësore kundër Italisë.
Megjithatë, ajo që e bën Lópezin të veçantë nuk është vetëm fiziku prej 1.92 metrash apo numri i madh i golave. Sipas vlerësimit të mediumit spanjoll Marca, ai ka edhe cilësi të rëndësishme teknike, lëvizje të koordinuara, shpejtësi dhe aftësi për t’u lidhur me bashkëlojtarët.
Sulmuesi është i aftë të kontribuojë edhe në ndërtimin e aksioneve dhe në krijimin e rasteve për të tjerët, ndërsa zotëron një gjuajtje të fuqishme dhe është veçanërisht i rrezikshëm në lojën ajrore.
Për Real Madridin, Mikel Lopez përfaqëson një investim të rëndësishëm për të ardhmen. Klubi madrilen tashmë ka siguruar vazhdimësinë e tij në akademi, ndërsa vitet e ardhshme do të tregojnë nëse “mini-Haaland” do të arrijë të bëjë hapin drejt ekipit të parë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

