Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka nisur një aksion për mbikëqyrjen e bizneseve që shesin produkte përmes platformave online.
Sipas njoftimit të IQMT-së, aksioni është përqendruar në kontrollimin e produkteve që transportohen drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me qëllim të verifikimit të ligjshmërisë së shitjeve online.
Gjatë inspektimeve po kontrollohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse lëshojnë kuponë fiskalë për produktet e shitura dhe nëse mallrat kanë deklaracionin e prejardhjes dhe dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
Në këtë aksion janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komuna të Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare, brenda ditës janë realizuar gjithsej 23 inspektime. Nga to, gjashtë lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 të tjera mbeten në procedurë.
IQMT ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera, me synim mbrojtjen e konsumatorëve, parandalimin e praktikave të paligjshme tregtare dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në treg. /Lajmi.net/

