Ndërsa lulëzonte interesi për eksplorimin kulturor, intelektual dhe shkencor, u zvogëlua mbështetja për një Kishë të gjithëfuqishme.
Nga: Lesley Kennedy / History
Përkthimi: Telegrafi.com
Rilindja, që shtrihet përafërsisht nga shekulli XIV deri në shekullin XVII, shënoi një periudhë përparimesh kulturore, intelektuale dhe shkencore. Nga zbulimet evropiane të kontinenteve dhe rrugëve detare – deri te pikëpamjet e reja për matematikën dhe astronominë e deri te shfaqja e shtypshkronjës – periudha e “rilindjes” pas Mesjetës u karakterizua nga ndryshimi i ideve, kryevepra të qëndrueshme të arkitekturës, artit dhe letërsisë (ishte koha e Shakespeareit, Galileos, da Vincit dhe Machiavellit) dhe nga një lëvizje drejt lirive politike dhe fetare.
Reformacioni anglez Problemet martesore të mbretit Henry VIII çuan në shkëputjen nga Kisha Katolike dhe në dekada të tëra konflikti, ndërsa Anglia u bë shtet protestant
Reformacioni anglez
Problemet martesore të mbretit Henry VIII çuan në shkëputjen nga Kisha Katolike dhe në dekada të tëra konflikti, ndërsa Anglia u bë shtet protestant
Zhvendosja drejt lirisë politike dhe fetare, nga ana e saj, ndihmoi në lindjen e lëvizjes së Reformacionit, e cila shkaktoi ndarje brenda Kishës së fuqishme Katolike, duke bërë që shumë evropianë t’i drejtoheshin besimit protestant i cili në atë kohë ishte i ri.
Një epokë idesh të reja
Stefania Tutino, profesoreshë e historisë në UCLA dhe historiane e historisë intelektuale dhe kulturore të katolicizmit pas Reformacionit, thotë se Reformacioni dhe Renesanca ishin dy lëvizje paralele, por të ndërthurura.
“E para kishte të bënte me natyrën teologjike dhe strukturën ekleziologjike të Kishës së vërtetë të Krishtit,” thotë ajo. “E dyta kishte të bënte me ripërtëritjen e disa parimeve kyçe kulturore, intelektuale dhe artistike, duke pasur parasysh faktin se ajo që kishte kuptim në Mesjetë tani nuk ishte më e përshtatshme, e dobishme apo frymëzuese për një shoqëri që kishte përjetuar shumë ndryshime themelore.”
Martin Lutheri duke djegur bulën papnore “Exsurge Domine,” të nxjerrë nga Papa Leoni X, rreth vitit 1520Historica Graphica Collection/Heritage Images/Getty Images
Sipas Tutinos, përparimet shkencore, përfshirë alternativat e shekujve XV dhe XVI ndaj fizikës dhe kozmologjisë tradicionale aristoteliane, si edhe risitë teknologjike si shtypshkronja, ishin faktorë të rëndësishëm të risisë.
“Si Renesanca, ashtu edhe Reformacioni lindën nga kuptimi se rendi ‘i vjetër’ mesjetar nuk ishte më i qëndrueshëm dhe zbulimet shkencore dhe risitë teknologjike ishin disa nga elementet që e bënë të qartë se sa të papërshtatshme ishin strukturat e vjetra,” thotë ajo.
Lëvizja e Humanizmit
Renesanca përfshinte një lëvizje intelektuale të njohur si Humanizëm. Mes shumë parimeve të tij, humanizmi promovonte idenë se njerëzit janë në qendër të universit të tyre dhe duhet t’i përqafojnë arritjet njerëzore në arsim, artet klasike, letërsi dhe shkencë. Si pjesë e kësaj filozofie, studiues, autorë, udhëheqës politikë dhe të tjerë kërkuan ta ringjallnin studimin e klasikëve grekë dhe latinë.
“Shumë humanistë filluan t’i zbatonin këto parime në studimin e Biblës dhe, si pasojë, edhe në parimet politike, kulturore, liturgjike dhe teologjike sipas të cilave hierarkia e Kishës Katolike qeveriste grigjën e saj,” thotë Tutino. “Gjatë këtij procesi, disa humanistë gjetën shumë gjëra për të kritikuar dhe disa nga kritikat e tyre i bënin jehonë atyre të Martin Lutherit dhe udhëheqësve të tjerë të hershëm protestantë.”
Megjithatë, shton ajo, ndërsa synimet dhe qëllimet e lëvizjeve humaniste dhe të Reformacionit ishin në thelb të ndryshme, “kishte gjithashtu fusha ku të dyja takoheshin.”
Sipas Ada Palmerit, profesoreshë e asociuar e historisë së Evropës së hershme moderne në Universitetin e Çikagos, lëvizja e Humanizmit e zgjeroi gamën e ideve për të cilat mendonin njerëzit.
“Lëvizja nisi si një interesin për leximin e teksteve të Greqisë dhe Romës së lashtë, sepse Evropa – sidomos Italia – ishte shumë e rrënuar nga luftërat, e dëshpëruar dhe e paqëndrueshme, saqë njerëzit vërtet kërkonin një zgjidhje,” thotë ajo.
Meqë Roma e lashtë ishte e fuqishme dhe e qëndrueshme, me periudha të gjata fuqie dhe uniteti, shton Palmeri, besohej se leximi i librave të lashtë të asaj periudhe mund t’u mësonte njerëzve se si ta përsëritnin suksesin e Romës.
“Kështu, ata filluan të kërkonin tekste të lashta dhe t’i përkthenin, lexonin dhe kopjonin, derisa zotërimi i antikiteteve u bë diçka që sinjalizonte pushtet politik dhe ambicie politike,” thotë ajo. “Shpejt, kushdo që kishte rëndësi duhej të kishte një bibliotekë klasike si mënyrë për të shfaqur pushtetin.”
Por, megjithëse qëllimi për të rritur stabilitetin dështoi, sipas Palmerit, një nga pasojat e paqëllimshme të lëvizjes ishte një kërkesë e re për libra, gjë që e shtyu Gutenbergun të shpikte shtypshkronjën.
“Kjo nënkuptonte gjithashtu se kishte shumë më tepër ide rreth pyetjeve të mëdha, si mënyra se si funksionon bota, si u krijua bota, cilat veprime janë të mira dhe cilat të këqija, si funksionon feja e kështu me radhë,” thotë ajo. “Dhe, kjo nënkuptonte gjithashtu se ata e studiuan më shumë greqishten dhe kuptuan se përkthimet e tyre të vjetra të Biblës dhe të teksteve të tjera kishin qenë të gabuara në shumë vende, ndaj filluan të bënin përkthime dhe korrigjime të reja.”
Teologu dhe reformatori gjerman Martin Luther, i ulur në qendër, me reformatorët e tjerë gjermanëHulton Archive/Getty Images
Martin Lutheri dhe protestantizmi
Palmeri thotë se Reformacioni ishte kulmi i proceseve të gjata dhe të ngadalta që kishin nisur para Renesancës, përfshirë korrupsionin e Kishës Katolike. Në librin e saj të ardhshëm për Renesancën, ajo përshkruan një “dilemë të të burgosurit.” “T’i jepje ryshfet Papës ose peshkopit ishte një përparësi e madhe në politikë,” thotë ajo. “Kushdo që e bënte këtë do të fitonte në një konflikt, prandaj askush nuk mund t’ia lejonte vetes të mos i jepte ryshfet Papës, sepse nëse dikush tjetër e korruptonte Papën me ryshfet, ti ishe i humbur.”
I zhgënjyer nga ryshfeti dhe format e tjera të korrupsionit të Kishës, përfshirë indulgjencat të cilat u lejonin qytetarëve të blinin faljen e mëkateve, murgu gjerman Martin Luther shkroi 95 Tezat në vitin 1517 të cilat, sipas rrëfimit, i gozhdoi në derën e faltores së Universitetit të Vitenbergut në Saksoni.
“Grumbullimi gradual i korrupsionit bëri që, në fund, indulgjencat të ishin pika e fundit që e mbushi kupën,” thotë Palmeri.
Fuqia e shtypshkronjës
Shtypshkronja bëri të mundur që tezat të shpërndaheshin gjerësisht dhe me shpejtësi në të gjithë Evropën dhe, megjithëse Kisha e shpalli heretik dhe Papa Leoni X e shkishëroi në vitin 1521, fjalët e Lutherit patën jehonë te shumë njerëz.
“Lutheri doli në momentin e duhur për t’u bërë predikuesi i parë yll i pamfleteve, njësoj si të ishe një nga blogerët e parë yje ose jutuberët e parë yje, dhe u gjend në situatën e duhur politike që qeveritë e rajonit ku ai ndodhej ta shihnin si një justifikim të shkëlqyer për të bërë diçka që gjithsesi donin ta bënin: të dilnin nga dilema e madhe papnore e të burgosurit,” shpjegon Palmer. /Telegrafi/

