Formula 1 ka një kampion të ri historik. Kimi Antonelli është bërë piloti më i ri që fiton titullin e botës, pasi siguroi triumfin në Çmimin e Madh të Meksikës.
20-vjeçarit të Mercedesit i mjaftoi pozita e tretë në garën e së dielës për ta mbyllur çështjen e titullit. Këtë sezon ai ka regjistruar nëntë fitore, ndërsa në Meksikë u rendit pas Max Verstappenit dhe Lewis Hamiltonit.
Me këtë sukses, Antonelli ka thyer rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte bërë kampion për herë të parë në moshën 23-vjeçare, në vitin 2010. Për më tepër, ai është italiani i parë që fiton kampionatin e Formula 1 në më shumë se shtatë dekada.
Momenti i konfirmimit të titullit ishte tepër emocional për pilotin italian. Pasi dëgjoi lajmin nga ekipi i tij, ai shpërtheu në lot dhe në të njëjtën kohë nuk mund ta fshihte gëzimin.
“Faleminderit shumë. Ia dolëm. Ia dolëm”, ishin fjalët e tij të para.
Antonelli më vonë pranoi se emocionet ishin aq të mëdha, saqë në xhiron e fundit mezi arrinte të shihte pistën. Ai tregoi se shumë kujtime nga fillimet e karrierës i kaluan në mendje në atë moment.
Rrugëtimi i tij drejt majës ka nisur shumë herët. Emri i plotë i pilotit është Andrea Kimi Antonelli, ndërsa familjarët dhe miqtë e afërt e thërrasin Andrea. Në Formula 1, megjithatë, ai njihet me emrin Kimi.
I rritur në një familje të lidhur me garat automobilistike, ai nisi kartingun që në fëmijëri. Babai i tij, Marco, kishte kuptuar potencialin e veçantë të të birit kur ai ishte vetëm 10 vjeç. Në moshën 15-vjeçare kaloi në garat me makina dhe më pas u afrua me Mercedesin.
Pas një sezoni të parë në Formula 1 në vitin 2025, Antonelli shpërtheu në edicionin e dytë, duke vendosur disa rekorde. Ai u bë piloti më i ri me pole position në Kinë, më i riu që kryesoi kampionatin në Japoni dhe më i riu që realizoi një “Grand Slam” në Monako, duke marrë pole position, xhiron më të shpejtë, duke udhëhequr të gjitha xhirot dhe duke fituar garën.
Me katër gara ende të mbetura në sezon, kampioni i ri do të ketë mundësi të shtojë edhe më shumë arritje në një vit që tashmë është historik për të. /Zëri

