KORREKT / SOT2 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

“Gjaku” – kryevepra e letërsisë greke e shekullit XXI!

“Gjaku” – kryevepra e letërsisë greke e shekullit XXI!

Nga: Gonda Van Steen / The Conversation (titulli: Hailed as a 21st‑century Greek masterpiece, Gjak retains its bloody power in English translation)
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjaku është fjala. Gjaku në çdo kuptim. Gjak: Rrëfime gjaku [Gjak: Tales of Blood], shkruar nga Dimosthenis Papamarkos, pati sukses të jashtëzakonshëm kur u botua në vitin 2014. Fitoi çmimin prestigjioz të Akademisë së Athinës dhe është bërë një nga veprat më të diskutuara të letërsisë greke të shekullit XXI.

Tani ajo ka gjetur zërin e saj të përsosur në anglisht – në përkthimin e vitit 2026 nga Siân Valvis, përkthyese letrare britaniko-greke e cila angazhohet me greqishten, rusishten, frëngjishten dhe portugalishten.

Me përkthimin e saj të Gjak-ut, ajo ka arritur gjithashtu të përballojë me sukses gjuhën dhe etosin e fshatrave arvanitase. Arvanitasit janë një grup dygjuhësh, pasardhës të migrantëve nga Shqipëria të shekujve XIII deri XVI, të cilët u vendosën në Greqinë qendrore dhe jugore. Gjuha e tyre, arvanishtja, është një dialekt i shqipes i pasuruar me huazime nga gjuhë dhe dialekte të tjera.

Gjak-u u shkrua në një dialekt që ndërthur elemente të arvanishtes me greqishten. Përkthimi i Valvisit në anglisht është befasues: një tekst i gjallë, herë-herë i ashpër, herë-herë shumë lirik.

Si ekspert i traumës së luftërave greke të shekullit XX, peshës së kujtesës kulturore dhe identitetit historik kompleks të popullit arvanitas, rrallë kam lexuar një vepër që rrezaton njëkohësisht kaq shumë ashpërsi dhe ndjeshmëri gjuhësore e kulturore. E përfundova me një ndjenjë familjariteti dhe jam e sigurt se edhe ju do ta ndieni, sepse nuk ka ku të fshihesh nga lidhjet e gjakut dhe gjurmët që na lidhin të gjithëve.

Gjak-u është një seri tregimesh të shkurtra të ndërlidhura, të cilat përpiqen të paraqesin se si ishte jeta e zakonshme në fshatra të largëta që ishin bërë më greke ndërsa formalizoheshin si pjesë e shtetit-komb grek. Secili tregim shqyrton se si ishte të jetoje pas luftërave greko-turke të viteve 1919-1922.

Me kthimin e ushtarëve grekë dhe arvanitas në fshatrat e tyre, paqja – si e brendshme, ashtu edhe e jashtme – duhej të kishte pasur një mundësi reale për t’u rivendosur. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Këta luftëtarë sjellin me vete gjak dhe faj dhe këto depërtojnë thellë në lidhjet e gjakut, lidhjet familjare dhe vëllazërore, dashurinë dhe marrëdhëniet homoerotike, dinamikat e fshatit dhe të komunitetit, madje edhe në marrëdhëniet përtej kufijve dhe oqeaneve (duke arritur deri te komunitetet e diasporës në Botën e Re).

Gjaku dhe faji i lidhur me vdekjen bëhen fijet e kuqe proverbiale që i lidhin tregimet e shkurtra të Papamarkosit me njëri-tjetrin. Këto fije të përgjakshme të ndërlidhura zbulohen gjithashtu në poezinë në stil balade që shërben si intermexo në mes të librit. Kjo baladë nuk është interlud lehtësues. Përkundrazi, është rrëfimi lirik i ballafaqimit të një gruaje guximtare me vetë Vdekjen gjakatare. Edhe me këtë baladë, zëri femëror shfaqet i fortë dhe i fuqishëm në tekst dhe në përkthim. Përndryshe, gratë janë subjekte në shumicën e tregimeve, sado të forta që mund të jenë – dhe sigurisht nuk janë të panjohura me gjakun dhe dhunën.

Përkthimi i Valvisit u bën drejtësi këtyre fijeve të përgjakshme në çdo hap. Vepra këtu i shtyn kufijtë e letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe nacionalizmit. Por, edhe më shumë se kaq, përkthyesja e ka paraqitur pa u lëkundur PTSD-në (çrregullimin e stresit post-traumatik). Papamarkosi nuk përmbahet kur përshkruan se si sillen viktimat e PTSD-së, me dhunë të vazhdueshme që mund të bëhet shumë fizike dhe e drejtpërdrejtë, dhe Valvisi ka arritur ta përkthejë këtë në mënyrë të gjallë dhe të ndjeshme.

Fatmirësisht, përkthyesja shpjegon me kujdes në një shënim se çfarë është në lojë, çfarë zgjedhjesh ka bërë dhe cili ka qenë rrugëtimi i përkthimit (një proces pesëvjeçar për një libër prej rreth 140 faqesh).

Gjuha shqetësuese dhe e drejtpërdrejtë e Valvisit arrin t’i bëjë lexuesit ta vënë veten në pikëpyetje. A mund ta hedhim poshtë dhunën dhe hakmarrjen si diçka që u përket të tjerëve apo jemi edhe ne bashkëfajtorë? Personazhi i quajtur me vend “trokitësi” shpjegon, në gjuhën dhe gramatikën që Valvis i përdorë qëllimisht me ironi (dhe me gabime drejtshkrimore):

Njerëzve nuk u pengon pisllëku për sa kohë që rri larg syve dhe nuk janë duart e tyre që bëhen pis. Për sa kohë që mund të dalin, të veshur bukur, krah për krah me mikeshat e tyre, pa erë të keqe, dhe të kapin takëmet me duar që nuk janë të fryra me gjak dhe ta hanë biftekun e tyre pa u bërë pis. Kjo do të thotë me qenë i sivilizuem. Me shkelë në mut me taka të nalta. E fshehun, puna që baj te Unioni, tamam siç ishte e fshehur ajo që unë bëja në luftë.

Përkthimi i Valvisit gëzon miratimin e Papamarkosit, i cili mori çmimin prestigjioz të Akademisë së Athinës për Gjak-un. Ky përkthim në anglisht është fituesi i merituar i Çmimit të Përkthimit “Elizabeth Constantinides” që jepet nga Shoqata e Studimeve të Greqishtes Moderne e Amerikës së Veriut. Pres plotësisht që një përkthim kaq i pasur dhe kaq i guximshëm të marrë edhe vlerësime të tjera. Tregimet e Papamarkosit janë përshtatur shumë herë për skenë dhe pres që edhe Gjak-u i përkthyer të ketë shfaqje të suksesshme teatrale. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.