NASA po përshpejton përgatitjet për rikthimin e astronautëve në Hënë, me synimin që brenda pak vitesh të nisë edhe ndërtimin e një baze të përhershme atje.
Administratori i agjencisë hapësinore amerikane, Jared Isaacman, ka riafirmuar planet ambicioze për dërgimin e astronautëve në Hënë në vitin 2028, pra përpara përfundimit të mandatit të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë një fjalimi në Qendrën Hapësinore Kennedy, Isaacman konfirmoi se NASA synon të nisë misionin Artemis III në verën e vitit 2027.
Ky mision nuk do të përfshijë uljen e astronautëve në Hënë, por do të shërbejë për testimin e lidhjes së anijes kozmike me mjetet e uljes hënore në orbitën e Tokës.
Këto mjete po zhvillohen nga kompanitë SpaceX e Elon Musk dhe Blue Origin e Jeff Bezos.
Megjithatë, NASA ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar se cilën prej tyre do të përdorë për uljen në Hënë.
Ndërsa misioni Artemis IV, i planifikuar për vitin 2028, pritet të realizojë rikthimin e astronautëve në sipërfaqen hënore për herë të parë pas më shumë se gjysmë shekulli.
Ata parashikohet të qëndrojnë rreth një javë në Hënë, ku do të kryejnë misione dhe kërkime shkencore.
Sipas Associated Press, Isaacman tha se NASA po përpiqet të përshpejtojë punën.
Megjithatë, ritmi i përshpejtuar ka ngritur pikëpyetje nëse nxitimi për të realizuar misionet mund të ndikojë në kontrollet teknike dhe sigurinë e astronautëve.
Isaacman u shpreh se suksesi i NASA-s nuk do të mbështetet te teknologjitë e reja apo filozofitë moderne të menaxhimit, por te përvoja historike e agjencisë.
Ai solli si shembull programin Apollo, përmes të cilit NASA arriti të kalonte nga misioni Apollo 7 në uljen historike të Apollo 11 në Hënë brenda vetëm nëntë muajsh.
Megjithatë, planet e ardhshme paraqesin sfida të paprecedenta.
NASA synon të ndërtojë një bazë pranë polit jugor të Hënës, një zonë ku asnjë mision Apollo nuk ka zbritur, pasi të gjitha uljet e tyre u realizuan pranë ekuatorit hënor.
Një tjetër pasiguri lidhet me raketën Starship të kompanisë SpaceX, e përzgjedhur nga NASA për të ndihmuar në realizimin e uljes në Hënë.
Edhe pse raketa ka arritur të përfundojë orbitën e saj të parë rreth Tokës, një fluturim testues u ndërpre për shkak të një defekti në motor.
SpaceX ende duhet të dëshmojë se Starship është mjaftueshëm e sigurt për misionet e ardhshme, si dhe të demonstrojë aftësi të tjera teknike, përfshirë furnizimin me karburant në hapësirë.
“Është një objektiv jashtëzakonisht ambicioz”, deklaroi astronauti i NASA-s, Frank Rubio, i përzgjedhur për misionin Artemis III.
Megjithatë, ai shprehu besimin te kapacitetet amerikane, duke shtuar: “Një gjë që gjithmonë e kam besuar dhe mësuar është se nuk duhet të vësh bast kundër Amerikës.” /Telegrafi/

