Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nisur rehabilitimi i segmentit të rrugës rajonale R102, nga Klina e Epërme në drejtim të Skenderajt.
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka bërë të ditur se kjo rrugë kishte pësuar dëmtime të shumta, ndërsa ka theksuar se projekti për rehabilitimin e saj ishte hartuar pas marrjes së detyrës.
“Rruga rajonale në segmentin Klinë e Epërme në drejtim të Skenderajt (R102) kishte dëmtime të shumta. Me të marrë detyrën, kemi hartuar projektin për rehabilitimin e saj”, ka shkruar Basha.
Ai ka bërë të ditur se punimet në këtë segment tashmë kanë filluar, duke vlerësuar se ndërhyrja do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit.
“Sot ky segment po rehabilitohet, gjë që do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do të lehtësojë qarkullimin për qytetarët”, ka deklaruar ministri.
Në fund, Basha ka thënë se institucionet po vazhdojnë me projekte infrastrukturore në pjesë të ndryshme të vendit.
“Po vazhdojmë me projekte gjithandej Kosovës, për infrastrukturë më të mirë dhe rrugë më të sigurta!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

