McLaren ka konfirmuar emrin e superveturës së ardhshme, e cila pritet të zëvendësojë modelin 750S. Ajo do të quhet McL 820 dhe synon të zhvillojë 820 kuaj fuqi sipas standardit metrik, apo 809 kuaj fuqi sipas standardit britanik.
Njoftimi u shoqërua me imazhin e një zogu kivi, i cili shërben si pjesë e fushatës promovuese për emrin e modelit të ri. Megjithatë, vetura nuk do të ketë formën e një zogu, por do të jetë një superveturë e re e prodhuesit britanik, transmeton Telegrafi.
Sipas McLaren, emërtimi i ri shënon një kapitull të ardhshëm në zhvillimin e kompanisë dhe synon të krijojë një sistem më të qartë e të unifikuar për emërtimin e veturave të saj, si në divizionin automobilistik, ashtu edhe në atë të garave.
McL 820 vjen pas prezantimit surprizë të modelit McL 6GT në Pebble Beach, i cili tërhoqi vëmendje edhe për transmisionin manual. Ndërkohë, kompania ka prezantuar së fundmi edhe një logo të ridizajnuar, të frymëzuar nga stacioni i shërbimit që dikur ishte në pronësi të themeluesit Bruce McLaren.
Prodhuesi britanik ka njoftuar gjithashtu investime prej rreth 500 milionë funtesh në Mbretërinë e Bashkuar, me synimin për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit dhe inxhinierisë, si dhe për të krijuar të paktën 1.000 vende të reja pune.
Ky investim do t’i mundësojë kompanisë të zhvillojë jo vetëm pasardhësin e modelit 750S, por edhe një SUV hibrid, me të cilin synon të konkurrojë modele si Lamborghini Urus dhe Aston Martin DBX. SUV-i i ri nuk do të pozicionohet në të njëjtin segment me modele më ekskluzive si Ferrari Purosangue.
McLaren pritet të zbulojë më shumë detaje për McL 820 gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

