Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë dr. Leonard Kurti, drejtor i Biokimisë Klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një postimi në Facebook, Vitia ka shprehur pikëllimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të dr. Kurtit, duke vlerësuar kontributin e tij në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Ai e ka përshkruar Kurtin si profesionist të përkushtuar, koleg të respektuar dhe njeri me vlera të larta njerëzore.
Sipas Vitisë, puna, dija dhe përkushtimi i dr. Kurtit kanë dhënë një kontribut të çmuar në shëndetësinë e vendit.
“Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin shëndetësor”, ka shkruar Vitia.
Në emër të tij dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kurti, miqtë dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.
“U prehtë në paqe! Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten gjithmonë të respektuar”, ka përfunduar Vitia. /Telegrafi/

