KORREKT / SOT31 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

19-vjeçari me shtetësi kosovare dyshohet për planifikim të një sulmi terrorist në Gjermani

19-vjeçari me shtetësi kosovare dyshohet për planifikim të një sulmi terrorist në Gjermani

Furgoni i transportit të të paraburgosurve ndalon dhe dera hapet. Nga automjeti zbret Kai R. (23), kursant në kompaninë hekurudhore gjermane Deutsche Bahn, nga qyteti Unna. I riu gjerman kishte kaluar afro 28 ditë në paraburgim policor.

Të mërkurën paradite, ai u paraqit para gjyqtares së masave të sigurisë në Gjykatën e Rrethit në Hagen, ku iu komunikuan akuzat. Dyshimi i rëndë ndaj tij: së bashku me Adnan R. (19), nga Hagen, ai dyshohet se kishte diskutuar mundësinë e kryerjes së një sulmi terrorist dhe kishte planifikuar sigurimin e armëve të luftës.

Forcat speciale ndërhynë më 1 tetor! Në qytetet Unna dhe Hagen, policia kontrolloi disa banesa, përfshirë edhe atë të Kai R. Dy të rinjtë kishin rënë më herët në radarët e hetuesve. Sipas informacioneve të gazetës BILD, ata dyshohet se gjatë muajit shtator kishin diskutuar në një automjet për mundësinë e organizimit të një sulmi, transmaton Klankosova.tv

Autoritetet e sigurisë i kishin vënë nën vëzhgim të dyshuarit, ndërsa bisedat e tyre ishin përgjuar. Në këto komunikime, dyshohet se ishte diskutuar edhe për sigurimin e dy pushkëve automatike të tipit AK-47, të njohura si kallashnikovë.

Sipas informacioneve të BILD, të rinjtë kishin planifikuar t'i siguronin armët për nga 1.000 euro secilën. Megjithatë, gjatë kontrolleve në banesa, hetuesit nuk arritën të gjenin asnjë armë.

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar ngritjen e akuzës. Prokurorja e lartë Alexandra Wiese, nga Prokuroria e Përgjithshme në Düsseldorf, deklaroi për BILD: „Bëhet fjalë për marrëveshjen për kryerjen e një vepre të rëndë penale.“ Sipas saj, çështja lidhet me shkeljen e ligjit gjerman për kontrollin e armëve të luftës.

Duket se të dyshuarit kishin diskutuar një plan, por deri më tani nuk ka shumë të dhëna se sa konkret ishte ai. Sipas informacioneve nga qarqe të sigurisë, si mjete të mundshme për kryerjen e sulmit ishin përmendur një thikë, një automjet ose një armë zjarri.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur ndonjë objektiv konkret të sulmit të mundshëm.

Kai R. është shtetas gjerman dhe dyshohet se ndiqte një program formimi profesional pranë kompanisë hekurudhore Deutsche Bahn. Sipas burimeve pranë hetimeve, ai ishte konvertuar në fenë islame. Gjatë dhjetë muajve të fundit, dyshohet se ishte radikalizuar gjithnjë e më shumë. Kjo kishte bërë që ai të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve të sigurisë dhe të vihej nën vëzhgim.

I dyshuari 19-vjeçar mund të lirohet së shpejti

Edhe Adnan R., nga Hagen, është nën dyshime. 19-vjeçari ka shtetësi të dyfishtë gjermane dhe kosovare dhe ndjek një shkollë profesionale.

Por pse njëri ndodhet në paraburgim, ndërsa tjetri jo?

Kai R. u vendos në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndërkohë, Adnan R. vazhdon të mbahet në ndalim policor afatgjatë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ndaj tij nuk ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Për këtë arsye, ai mund të lirohet së shpejti.

Në fokus të hetimeve kishin qenë edhe Hussein A. (20) dhe Abdullah A. (24), dy vëllezër me shtetësi siriane nga Hagen.

Megjithatë, deri më tani nuk është arritur të provohet ndonjë përfshirje e tyre në këtë çështje. Ndaj dy vëllezërve nuk është ngritur asnjë akuzë. Ata janë të lirë, por sipas raportimeve, vazhdojnë të jenë nën vëzhgimin e autoriteteve hetimore.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.