KORREKT / SOT31 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

​Minierat e Kosovës tërheqin interesimin amerikan, kërkohet heqja e barrierave

​Minierat e Kosovës tërheqin interesimin amerikan, kërkohet heqja e barrierave

Potenciali minerar i Kosovës mund të tërheqë investime amerikane dhe ndërkombëtare, por zhvillimi i sektorit kërkon institucione funksionale dhe politika afatgjata.

Kjo u theksua gjatë diskutimit “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.

Përfaqësuesi i kompanisë Western Tethyan Resources dhe kryesuesi i Odës së Minierave të Kosovës, Mentor Demi, ngriti shqetësime për funksionimin e institucioneve rregullatore, veçanërisht Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Sipas tij, vonesat dhe mungesa e vendimmarrjes po pengojnë zhvillimin e projekteve private minerare.

Demi përmendi raste të investitorëve ndërkombëtarë që, pavarësisht investimeve milionëshe në aktivitete eksploruese në Kosovë, janë përballur me bllokim të projekteve për shkak të mosveprimit institucional.

Ai vlerësoi se sektori minerar nuk po merr vëmendjen e merituar në diskutimet për zhvillimin ekonomik, ndonëse mineralet dhe lëndët e para janë të rëndësishme për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e teknologjive të reja.

Duke rikujtuar se zhvillimi i një projekti minerar mund të zgjasë mesatarisht deri në 20 vjet, Demi kërkoi vazhdimësi dhe parashikueshmëri të politikave për investitorët.

Ai theksoi se Kosova ka një kornizë ligjore përgjithësisht të favorshme për investimet e huaja, por zbatimi i saj dhe llogaridhënia institucionale mbeten sfida serioze.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, Arben Mustafa, tha se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi të reja për vendin.

Sipas tij, shndërrimi i potencialit minerar në investime konkrete kërkon institucione funksionale, transparencë në vendimmarrje dhe eliminimin e pengesave burokratike.

Mustafa shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit dhe adresimin e barrierave për investime, duke theksuar se investitorët amerikanë mund të kontribuojnë me kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, theksoi se zhvillimi i sektorit minerar duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përpunimin e lëndëve të para brenda Kosovës.

Ajo e veçoi ndërmarrjen Trepça si aset strategjik, modernizimi dhe përmirësimi i menaxhimit të së cilës janë të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Kasumi Berisha bëri të ditur se Ministria synon avancimin e vlerësimit të pasurive minerale, shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e qymyrit mbi bazën e fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor, si dhe hartimin e një strategjie të re minerare të mbështetur në të dhëna të besueshme gjeologjike.

Në hapje të forumit, udhëheqësja e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, Shqipe Vela, tha se pasuritë natyrore të Kosovës paraqesin mundësi për zhvillim industrial, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike.

Ajo theksoi nevojën për një kuadër të qartë ligjor, politika të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve për zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, vlerësoi se shfrytëzimi i pasurive minerare duhet të shoqërohet me zhvillimin e kapaciteteve përpunuese, përdorimin e teknologjive moderne dhe vlerësimin e ndikimeve ekonomike e mjedisore.

Ajo kërkoi bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private, si dhe mbështetje për kërkimin shkencor.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë theksoi se do të vazhdojë të shërbejë si platformë për dialog dhe përmirësimin e klimës së investimeve, eliminimin e barrierave rregullatore dhe promovimin e mundësive për investitorët amerikanë në sektorin minerar.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.