Roy Keane ka kritikuar portierin Senne Lammens, duke pretenduar se ai po ndikon në vështirësitë e vazhdueshme të Manchester Unitedit, pas rënies së dukshme të formës së tij.
Duke folur në emisionin The Overlap, legjenda e klubit anglez u shpreh se portieri belg po i kushton pikë skuadrës së tij.
“Portieri po u kushton pikë, apo jo? Ai ishte shumë i mirë vitin e kaluar”, deklaroi Keane.
Lammens pati një sezon debutues premtues pas transferimit nga Royal Antwerp në vitin 2025, për shumën prej 21 milionë eurosh. Ai arriti ta zëvendësonte shpejt Andre Onanën si portierin e parë të Manchester Unitedit.
Megjithatë, paraqitjet e tij të fundit kanë ngritur pikëpyetje, sidomos pasi “Djajtë e Kuq” kanë pësuar 13 gola në tetë ndeshjet e para të Ligës Premier.
Edhe Paul Scholes ka shprehur dyshime nëse Lammens ka cilësitë e nevojshme për t’u shndërruar në një portier elitar, duke thënë se ende nuk është dhënë një përgjigje përfundimtare për potencialin e belgut.
Ndërkohë, 24-vjeçari ka reaguar ndaj presionit, duke insistuar se duhet të mbetet “i fortë mendërisht” përballë kërkesave të larta që sjell të luajturit për Manchester Unitedin.
Skuadra e Michael Carrickut tani e ka në fokus ndeshjen e radhës, ku të shtunën do të përballet me Chelsean në “Stamford Bridge”./Telegrafi/

