KORREKT / SOT30 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Merrni mësim nga Britania: Shmangia e qendrave të të dhënave për IA-në do t’i kushtojë tepër shumë ShBA-së

Merrni mësim nga Britania: Shmangia e qendrave të të dhënave për IA-në do t’i kushtojë tepër shumë ShBA-së

Nga: Matthew Syed / New York Post (titulli: Shunning AI data centers will cost the US far more than embracing them. Just look at the UK)
Përkthimi: Telegrafi.com

E kuptoj. Vërtet e kuptoj. Qendrat e të dhënave janë të zhurmshme. Janë të shëmtuara. Ato mund t’i rrisin çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët, si për ty dhe si për mua, një pikë kjo e rëndësishme së cilës do t’i kthehem.

Ato po ndërtohen gjithashtu prej kompanive të mëdha teknologjike të cilat e kanë shpërdoruar besimin e publikut. Na premtuan se mediat sociale do ta lidhnin botën. Në vend të kësaj, ato i dëmtuan fëmijët tanë dhe e varfëruan aftësinë tonë të përqendrimit.

Por, edhe me gjithë këto shqetësime, besoj se vendimet që do të merren në muajt e ardhshëm për zgjerimin e ndërtimit të qendrave të të dhënave janë ndër më vendimtaret në histori.

Gjithashtu besoj se politika e duhur, me ndonjë rezervë të vogël aty-këtu, është e thjeshtë: ndërto, ndërto, ndërto.

Për ta kuptuar arsyetimin tim, ejani në vendin ku kam lindur. Në Britaninë e Madhe. Vend i mrekullueshëm. Big Beni. Universitete mbresëlënëse si Oksfordi dhe Kembrixhi. Kombi që i dha jetë Revolucionit Industrial. Çfarë ka për të mos pëlqyer?

Epo, rreth 25 vjet më parë, britanikët morën një vendim. Vendosëm t’i jepnim përparësi mjedisit ndaj ndërtimit, pamjeve të bukura ndaj infrastrukturës jetike, shqetësimeve konkrete lokale ndaj abstraksionit të largët të interesit kombëtar.

Ndoshta mund ta kuptoni motivin nëse e keni lexuar ndonjëherë Kryezotin e unazave [The Lord of the Rings]. Donim të ishim Toka e Mesme [Shire], ajo idilë piktoreske me pemë, pabe të këndshme dhe me hobitë. Në shumë mënyra, Toka e Mesme ishte himni i J. R. R. Tolkienit për Anglinë të cilën ai e adhuronte dhe dëshironte ta mbronte.

Por, e dini shprehjen e vjetër se rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira? Efekti i grumbulluar i këtyre politikave e ka shndërruar Britaninë e Madhe jo në Tokën e Mesme, por në diçka më të ngjashme me Pyllin e Errët [Mirkwood]: të ftohtë, të varfër dhe gjithnjë e më të mangët në bukuri.

Logjika është e thjeshtë. Nëse nuk ndërtoni infrastrukturë, mjedisi lokal mund të duket i mrekullueshëm, përveç faktit se, me kalimin e kohës, nuk mund t’ia lejoni vetes ta shijoni shumë. Ata e quajnë krizë të kostos së jetesës, por në të vërtetë është krizë ndërtimi. Kur vazhdoni t’i shtoni çdo projekti kërkesa të reja mjedisore dhe të tjera, krijoni një çerdhe nepërkash të interesave të ngulitura që bllokojnë, pengojnë dhe vonojnë.

Kjo është arsyeja pse marrja e lejes për një projekt në Britaninë e Madhe tani është më e vështirë sesa vetë ndërtimi i tij. Kërkesa për leje planifikimi për Kalimin e Poshtëm të Temzës [Lower Thames Crossing] arriti në afro 360 mijë faqe dhe kushtoi pothuajse 400 milionë dollarë – më shumë se dyfishi i shumës që Norvegjia pagoi për ta ndërtuar vetë tunelin më të gjatë rrugor në botë. Në total, u shpenzuan më shumë se 1.6 miliardë dollarë përpara se të ngulej lopata e parë në tokë.

Shembujt e tillë janë të shumtë në Britani. Ata që donin të bënin mirë dëshironin të ruanin faunën lokale – një ndjenjë e bukur kjo. Ajo që ndodhi në praktikë ishte se kostos së një tuneli iu shtuan 133 milionë dollarë për t’i mbrojtur lakuriqët e natës nga një linjë hekurudhore. Ata që donin të bënin mirë dëshironin t’i përmirësonin kredencialet e tyre të gjelbra dhe përfunduan duke i eksportuar emetimet në vende të tjera – produktet e të cilave i blinin, ndërsa industritë e tyre zbrazeshin.

Ishte kjo hipokrizi apo tradhti?

Britania e Madhe nuk është shumë ndryshe nga Kalifornia pa Luginën e Silicit [Silicon Valley]: gjithë bllokimi, pa rritjen që do ta paguante atë. Dhe, kjo më bën të qaj. Shoh një vend me potencial të jashtëzakonshëm që po mbytet ngadalë nga ajo që mund ta quajmë sindroma e Tokës së Mesme. Sipërmarrësve, drejtuesve të bizneseve dhe punëtorëve të krahut nuk u mungon talenti, por kostot gjithnjë e më shumë po i nxjerrin jashtë tregjeve globale. Të moshuarit e kanë të vështirë t’i ngrohin shtëpitë e veta. Standardet e jetesës kanë stagnuar për më shumë se 20 vjet.

Duke e pasur parasysh këtë paralajmërim, le të kthehemi tek Amerika, një vend që ka aq shumë gjëra në favor të vet.

Përsëri, i kuptoj shqetësimet për qendrat e të dhënave, por vlen të thuhet se një moratorium në ShBA nuk do ta ndalte zhvillimin e IA-së [inteligjenca artificiale]. Ai thjesht do ta zhvendoste atë në Gjirin Persik, Kinë dhe më tej. Dhe, kjo do ta bënte infrastrukturën amerikane të cenueshme ndaj sulmeve kibernetike, ushtrinë të cenueshme ndaj dominimit të huaj dhe kompanitë amerikane të cenueshme ndaj konkurrencës.

Kur Trumpi thotë: “Kushdo që fiton në IA, fiton,” ai nuk po bën shaka.

Por, le të pranojmë gjithashtu se epërsia në IA, ndonëse është interes jetik strategjik, kërkon edhe një qasje të zgjuar.

Pa kapacitete të mjaftueshme dhe të besueshme të energjisë bazike, qendrat e reja të të dhënave do ta vënë sistemin nën trysni. Kompanive teknologjike duhet t’u kërkohet të sigurojnë burime të drejtpërdrejta energjie, qofshin turbina me gaz, rindezje të centraleve bërthamore apo lidhje të dedikuara, në vend që të mbështeten vetëm në rrjet. Familjet nuk duhet të paguajnë për përmirësime që u shërbejnë kompanive të IA-së.

Duhet vënë re edhe “financimin qarkor” të kompanive të mëdha të IA-së, ku kompanitë e çipave garantojnë hua për firmat që blejnë çipat e tyre. Ato na thonë se gjithçka është krejtësisht e rregullt, por kjo duket e dyshimtë. Ajo që është thelbësore është se, nëse bumi i IA-së kthehet në kolaps, faturën do ta paguajnë aksionarët, jo taksapaguesit. Amerikanëve u ka ardhur në majë të hundës socializmi për super të pasurit dhe kapitalizmi i ashpër për të gjithë të tjerët.

E pranoj se disa lexuesve kjo analizë do t’u duket tepër e kufizuar. Po një apokalips i vendeve të punës i shkaktuar nga IA-ja? Po rreziku ekzistencial? A nuk duhet njerëzimi të ndalet për t’i shqyrtuar dhe frenuar këto rreziqe?

Për të qenë i qartë, shqetësohem për këto gjëra po aq sa kushdo tjetër që përgatitet për skenarë katastrofikë, por në mungesë të një marrëveshjeje të zbatueshme globale, cila është alternativa ndaj përpjekjes së ShBA-së për të qëndruar përpara?

Dhe, kjo na kthen te Toka e Mesme – sepse ka një pjesë të historisë të cilën hobitët nuk e dinin kurrë. Toka e Mesme nuk ishte paqësore sepse ishte idilike. Ishte paqësore sepse, përtej kufijve të tij, Rojtarët bënin rojë. Të ashpër, pa marrë falënderime dhe kryesisht të padukshëm, ata i mbanin larg forcat e errëta, në mënyrë që hobitët të mund të kujdeseshin për kopshtet e veta dhe të grindeshin për vijat e gardheve. Qetësia e Tokës së Mesme varej tërësisht nga forca diku tjetër.

Në epokën e IA-së, askush nuk po bën rojë në emër të Amerikës. Ju jeni Qyteti mbi Kodër, ushtari mbi mur, e vetmja gjë që qëndron mes botës së lirë dhe një të ardhmeje të dominuar nga Partia Komuniste Kineze – një klikë totalitare që e sheh IA-në si rrugë drejt epërsisë globale dhe natyra e vërtetë e së cilës është zbuluar jo vetëm nga masakra e Sheshit Tiananmen dhe gjenocidi në Sinxhang, por edhe nga kontrolli gjithnjë e më rrëqethës mbi mendimin dhe fjalën.

Është një perspektivë që shkon përtej çdo distopie të përfytyruar edhe nga [George] Orwelli.

Prandaj, ju lutem, bëjini gjigantët e teknologjisë të paguajnë për energjinë e tyre. Bëjini aksionarët ta mbajnë vetë rrezikun. Por, ndërto, ndërto, ndërto. Sepse e vetmja gjë më e keqe se një siluetë urbane me qendra të të dhënave është një vend i cili i ruajti pamjet e veta të bukura dhe e shpërdoroi të ardhmen. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.