Barcelona ka përshpejtuar negociatat me kompanitë për shitjen e të drejtave të përdorimit të ulëseve VIP në stadiumin Spotify Camp Nou.
Klubi katalanas synon të sigurojë të ardhura të menjëhershme për të përmbushur detyrimet financiare.
Sipas gazetës Sport, e cila citohet nga Goal.com, Barcelona mund të arkëtojë rreth 80 milionë euro paraprakisht nga një paketë e re prej 2 mijë ulësesh VIP, të dedikuara për kompani.
Përveç kësaj, klubi mund të përfitojë nga 50 deri në 60 milionë euro në vit.
Të drejtat e përdorimit të këtyre ulëseve do të shiten për periudha 15 ose 30-vjeçare. Kur punimet në stadium të përfundojnë plotësisht, Camp Nou pritet të ketë rreth 9.500 ulëse VIP.
Afërsisht 5 mijë prej tyre tashmë janë kontraktuar, ndërsa 500 të tjera përfshihen në kategorinë e licencave personale të ulëseve.
Barcelona po synon të shesë edhe 2 mijë ulëse të tjera, të cilat konsiderohen të disponueshme për sezonin aktual dhe atë të ardhshëm. Kategoritë ndryshojnë sipas pozicionit në stadium dhe shërbimeve të përfshira. Paketa më ekskluzive, e quajtur “Lounge”, tashmë është shitur e tëra.
Megjithatë, projekti sjell edhe sfida për anëtarët tradicionalë të klubit. Zgjerimi i zonave VIP dhe rritja e kapacitetit të tribunës presidenciale në rreth 300 vende kanë zvogëluar hapësirën për mbajtësit e abonimeve sezonale.
Kur stadiumi të jetë plotësisht funksional, Barcelona do të duhet të përcaktojë vendet e reja për këta tifozë dhe çmimet që do të paguajnë.
Shitja e të drejtave të ulëseve VIP shihet si një prej burimeve më të rëndësishme të të ardhurave nga Camp Nou i rinovuar, në një periudhë kur klubi po kërkon të shfrytëzojë çdo mundësi komerciale për të përmirësuar financat. /Zëri

