Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një nga figurat e njohura të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Tiranës, që ka shprehur ngushëllimet për familjen, kolegët dhe brezat e studentëve që u formuan nën drejtimin e tij.
Luan Omari cilësohet si një prej figurave të rëndësishme të mendimit juridik shqiptar dhe një profesor që la gjurmë në formimin e brezave të juristëve.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu studimet e larta për drejtësi në Beograd dhe Sofje, duke ndërtuar më pas një karrierë të gjatë akademike dhe shkencore.
Për gati dy dekada, ai drejtoi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku kontribuoi në formimin e shumë brezave të juristëve.
Përmes studimeve dhe botimeve të tij, ai dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e së drejtës kushtetuese në Shqipëri.
Akademiku Luan Omari ishte gjithashtu anëtar themelues dhe ish-zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, si dhe përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Venecias.
Për kontributin e tij akademik dhe shkencor, Universiteti i Tiranës e nderoi me titujt “Profesor Emeritus” dhe “Doctor Honoris Causa”.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një prej emrave të rëndësishëm të jurisprudencës shqiptare, ndërsa vepra dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e trashëgimisë akademike të vendit.

