Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të dyshuar në Fushë Kosovë, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e koduar “Errësira”, aksion i zhvilluar fillimisht më 25 shtator 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i sotëm u ndërmarr rreth orës 13:30 nga zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, transmeton lajmi.net.
Në operacionin e mëparshëm të datës 25.09.2026, autoritetet kishin arrestuar dy shtetas të Shqipërisë dhe kishin sekuestruar rreth 4 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Mirëpo, puna hetimore dhe ekzaminimi i provave materiale ka çuar në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Policia ka konfirmuar se i dyshuari i ndaluar sot është personi që ka bashkëpunuar ngushtë me dy të arrestuarit e mëparshëm për sigurimin e sasisë së drogës që u sekuestrua gjatë muajit shtator.
Në kuadër të hetimeve të mëtutjeshme, policia ka kryer një bastisje në banesën e të dyshuarit në Fushë Kosovë, por gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë gjë e dyshimtë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet rreth këtij rasti vazhdojnë./lajmi.net/

