Estonia po planifikon të ndërtojë rreth 150 bunkerë përgjatë kufirit me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse të vendit, ka bërë të ditur ministri estonez i Mbrojtjes, Martin Herem, më 28 tetor.
Sipas mediumit estonez ERR, bunkerët do të ndërtohen në rajonin Ida-Virumaa, i cili kufizohet me Rusinë. Rreth 100 prej tyre do të vendosen në prona shtetërore, ndërsa 50 të tjerë në prona private ose komunale. Herem nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me përdorimin e tyre.
Masat e fundit vijnë në kohën kur vazhdojnë shqetësimet për kërcënimet ruse ndaj krahut lindor të NATO-s. Në përgjigje të shtimit të agresionit rus në rajon, tri shtetet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – kanë rritur përpjekjet për përgatitje strategjike, duke nxitur gatishmërinë e popullsisë civile dhe duke shtuar shpenzimet për mbrojtjen.
Zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar për hyrje të dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendeve të rajonit, shkelje të hapësirës ajrore, sabotime dhe kërcënime të tjera hibride. Ndërkohë, shtetet baltike dhe vendet fqinje po forcojnë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore.
Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, NATO ka përforcuar krahun e saj lindor përmes dislokimit të trupave shtesë dhe përgatitjes së planeve për reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve të mundshme.
Në fillim të këtij muaji, ushtria estoneze njoftoi se do ta zhvendosë përgjithmonë një brigadë luftarake më pranë kufirit rus. Brigada e Parë pritet të vendoset në një bazë të zgjeruar rishtazi, më pak se 50 kilometra larg kufirit me Rusinë, me qëllim përmirësimin e gatishmërisë për t’iu përgjigjur një sulmi të mundshëm.
Estonia shpenzon për mbrojtjen një shumë të barabartë me 5.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke tejkaluar objektivin prej pesë për qind të përcaktuar nga NATO.
Edhe Letonia dhe Lituania po ndërmarrin hapa për forcimin e mbrojtjes. Më 26 tetor, ushtria letoneze njoftoi se brigada e NATO-s e vendosur në këtë vend kishte nisur stërvitjet më të mëdha të dislokimit të forcave të zhvilluara deri më tani.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Lituanisë, Martynas Katelynas, bëri thirrje më 7 tetor për vendosjen e trupave përgjatë kufirit të vendit me enklavën ruse të Kaliningradit, duke e cilësuar këtë masë si parandaluese.
Në kuadër të përpjekjeve për të kufizuar rreziqet e sigurisë, Letonia ka ndërtuar së fundmi një gardh të ri prej 280 kilometrash përgjatë kufirit me Rusinë. Finlanda, nga ana tjetër, përfundoi në shtator ndërtimin e një gardhi prej 200 kilometrash përgjatë kufirit të saj me këtë shtet.

