Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, pjesë e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se me delegacionin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe hapat e ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, raporton lajmi.net
Ai ka theksuar se anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike mbetet prioritet strategjik për Kosovën, duke e cilësuar si të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Postimi i tij i plotë
Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës.
Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pres në Zyrën e Kryeministrit delegacionin, prej 11 anëtarësh nga 9 shtete të ndryshme, të Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilët biseduam për bashkëpunimin dhe rrugën përpara.
Diskutuam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik, për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, sikurse për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimin profesional të ushtarakëve tanë, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut./Lajmi.net/
Burimi: lajmi.net ↗

