Nga: Karsten Heckl, gjenerallejtënant i Marinës në pension / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Në shqyrtimet e kësaj vjeshte për buxhetin e mbrojtjes, Kongresi duhet ta financojë plotësisht aeroplanin F-35B Lightning II. Amerika thjesht nuk mund t’ia lejojë vetes ndërprerjen ose vonesën në sigurimin e këtij aeroplani luftarak.
Ky variant i veçantë i F-35-it – ai me aftësi për ngritje dhe ulje vertikale – luan rol jashtëzakonisht të madh në strategjinë e Korpusit të Marinsave të ShBA-së për ta frenuar dhe, nëse është e nevojshme, për ta mposhtur agresionin e Kinës.
Përfytyroni ditët e para të një konflikti me Pekinin: një sulm raketor në shkallë të plotë godet fushat ajrore dhe bazat amerikane dhe aleate përgjatë Zinxhirit të Parë të Ishujve, duke dëmtuar rëndë fuqinë e Forcave Ajrore të ShBA-së.
Guami, qendra në të cilën mbështetet Pentagoni për të dërguar forca dhe logjistikë drejt Perëndimit, vihet gjithashtu nën sulm të rëndë. Aeroplanmbajtëset e Marinës së ShBA-së detyrohen të qëndrojnë shumë më në Lindje për të shmangur zonën e goditjes, ndërsa efektiviteti i tyre kufizohet nga largësitë e mëdha të përfshira.
Ky nuk është thjesht një mendim për skenarin më të keq; ai pasqyron doktrinën ushtarake kineze.
Fushat ajrore janë veçanërisht të cenueshme. Një studim i Institutit Hudson i janarit 2025 zbuloi se Kina e ka dyfishuar numrin e strehimoreve të fortifikuara dhe të pafortifikuara për aeroplanë, që nga fillimi i viteve 2010 – në më shumë se tre mijë – ndërsa, gjatë së njëjtës periudhë, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar vetëm dy strehimore të fortifikuara dhe 41 të pafortifikuara pranë Ngushticës së Tajvanit.
Një pjesë e madhe e fuqisë sonë ajrore të dislokuar përpara qëndron e ekspozuar në platformat e pistës dhe përpjekjet e sapofilluara për ta fortifikuar atë janë larg përfundimit.
Ukraina ka treguar se çfarë kostoje mund të ketë cenueshmëria e tillë. Në qershor 2025, Operacioni Rrjeta e Merimangës i Kievit përdori dronë të futur fshehurazi thellë në territorin rus, për të goditur bombarduesit strategjikë në tokë në disa baza ajrore. ShBA-ja nuk ka dislokuar mbrojtje që mund t’i kundërvihet një sulmi të ngjashëm – siç kemi parë nga dëmet e mëdha që aeroplanët kanë pësuar në tokë në Lindjen e Mesme, gjatë konfliktit të vazhdueshëm me Iranin.
Goditja e parë e Kinës kundër bazave në Paqësorin Perëndimor do të tejkalonte çdo gjë të parë nga Ukraina ose Irani.
Një pjesë e përgjigjes ndaj kësaj dileme është shpërndarja: përhapja e forcave, përfshirë aeroplanët, në shumë vendndodhje me infrastrukturë minimale.
Një studim i Rand-it paralajmëroi se, megjithëse shpërndarja mund t’i mbrojë aeroplanët nga ky lloj sulmi, ajo mund ta ulë numrin e fluturimeve luftarake duke i shpërndarë forcat së tepërmi. Që të jetë efektive, një forcë duhet të jetë në gjendje t’i armatosë, t’i furnizojë me karburant dhe t’i nisë aeroplanët nga ato vende të shpërndara.
Një analizë e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare mbi një konflikt të simuluar për Tajvanin, arriti në të njëjtin përfundim: mbijetesa – pa aftësinë për të vazhduar fluturimet luftarake – do të përfundojë në humbje.
Forca që mund të shpërndahet dhe prapë të fluturojë ka një mundësi të fitojë dhe pikërisht për këtë është ndërtuar aeroplani F-35B.
Në një dislokim të shpërndarë, F-35B-ja ka aftësi unike mbijetese ndër aeroplanët me krahë fiks. Ndryshe nga aeroplanët që varen nga pistat e përhershme, F-35B mund të vazhdojë të kryejë fluturime luftarake prej vendeve me infrastrukturë minimale dhe të papërmirësuar. Ai mund të fshihet në një shteg tepër të shkurtër ose tepër të ashpër për çdo aeroplan luftarak konvencional; ekipe të vogla marinsash mund ta riarmatosin dhe ta furnizojnë me karburant aty.
Më pas kthehet në luftim me aftësitë e tij udhëheqëse në padukshmëri dhe bashkim të të dhënave nga sensorët.
Të shpërndarë përgjatë zonave bregdetare në njësi të vogla e të lëvizshme, këta aeroplanë F-35B sigurojnë gjithashtu mbulim ajror kritik për marinsat që mbajnë armë kundër anijeve, gjë që është qendrore për konceptin operacional të Korpusit të Marinsave në Paqësor.
Kjo nuk është teorike. Njësitë e marinsave janë stërvitur prej vitesh në pika të avancuara armatosjeje dhe furnizimi me karburant, duke ulur F-35B-në në ishuj të largët dhe në pista të shkurtra, duke i riarmatosur dhe furnizuar me karburant me ekipe të lëvizshme dhe duke i kthyer sërish në luftim.
Koncepti është vërtetuar në një luftë reale me të shtëna. Gjatë operacioneve të këtij viti kundër Iranit, marinsat përdorën pika furnizimi me karburant me infrastrukturë minimale – për t’i kthyer shpejt F-35B-të në veprim dhe për ta zvogëluar varësinë nga orbitat e cenueshme të aeroplanëve cisternë.
F-35B është i aftë të mbijetojë në luftim, por nëse mund t’u bëjë ballë manovrave buxhetore të Uashingtonit, kjo mbetet pyetje e hapur. Le të shpresojmë se do të mbizotërojë mençuria dhe se sigurimi i më shumë aeroplanëve F-35B do të jetë lart në listat e përparësive të Kongresit dhe Pentagonit.
Rezultati i betejës buxhetore të kësaj vjeshte mund të jetë vendimtar për të përcaktuar nëse do të fitojmë në një luftë në Paqësor. /Telegrafi/

