Një fëmijë mund të ndihet i dashur, por jo domosdoshmërisht i kuptuar.
Kur prindërit nuk i dëgjojnë ndjenjat dhe mendimet e tij, ai mund të rritet me vështirësi për të shprehur veten dhe për të krijuar besim te të tjerët.
Një studim i publikuar në vitin 2023 në revistën JAMA Network Open, me më shumë se 15 mijë adoleshentë të ndjekur deri në moshën madhore, zbuloi se kënaqësia me komunikimin me nënën lidhej me më pak stres dhe simptoma depresioni më vonë në jetë.
Përvojat e tilla mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si një person sillet në moshë madhore. Disa zakone që mund të lidhen me ndjenjën e keqkuptimit në fëmijëri janë:
- E keni të vështirë të kërkoni ndihmë: Nëse përvojat me të rriturit ju kanë bërë të ndiheni të pavlerësuar, mund ta keni më të vështirë të tregoni cenueshmëri dhe të mbështeteni te të tjerët.
- Dyshoni te vetja: Kur ndjenjat dhe mendimet e një fëmije shpërfillen vazhdimisht, ai mund të fillojë të besojë se nuk është mjaftueshëm i mirë.
- E keni të vështirë të merrni vendime: Sipas terapistes klinike Helen McKibben, shpërfillja e ideve të fëmijës mund të ndikojë në besimin që ai ka te aftësia e vet për të gjykuar dhe vendosur.
- Nuk arrini t’i shpjegoni lehtë ndjenjat tuaja: Kur një person ndihet vazhdimisht i keqkuptuar, mund të bëhet më e vështirë për të të shprehë qartë atë që mendon dhe ndien.
- Mbylleni në vetvete: Përvojat e përsëritura të keqinterpretimit mund t’ju bëjnë të hezitoni të ndani mendimet dhe ndjenjat, madje edhe me familjen apo miqtë.
Megjithatë, këto zakone nuk dëshmojnë domosdoshmërisht se dikush është ndjerë i keqkuptuar në fëmijëri.
Ato mund të kenë shkaqe të ndryshme, ndërsa njohja e tyre mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të vetes dhe në ndërtimin e marrëdhënieve më të shëndetshme. /Telegrafi/

