Një marrëveshje paqeje me disa pika – që përfshin rihapjen e ngushticës së Hormuzit brenda katër ditëve nga heqja e sanksioneve, si dhe tërheqjen e forcave të konsiderueshme të Houthëve brenda Jemenit – qëndron në thelb të planeve të shteteve të Gjirit për të parandaluar atë që ato e konsiderojnë si një rinisje katastrofike të luftës midis Iranit dhe SHBA-së.
SHBA-ja është në dijeni të ecurisë së bisedimeve, por pret një lëshim, për të cilin fuqitë evropiane sugjerojnë se mund të përfshijë lejimin nga ana e Iranit të rikthimit të inspektorëve të OKB-së për armatimet në vend.
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, u bëri thirrje iranianëve të bien dakord për lejimin e rikthimit të inspektorëve të OKB-së, gjatë takimit të tij me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Nju Jork; megjithatë, deri më tani Irani ka refuzuar, duke deklaruar se do të zhvillojë bisedime vetëm në parim lidhur me programin e tij bërthamor.
Diplomatët evropianë besojnë se lejimi i inspektorëve të armatimeve për t’u rikthyer në Iran dhe për të vizituar objektet bërthamore të bombarduara, përbën një kërkesë minimale për të arritur një përparim në marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Por Irani mbetet i përqendruar ekskluzivisht te garancitë për lehtësimin e sanksioneve, të cilat do t’i përfitonte në këmbim të rihapjes së ngushticës së Hormuzit.
Dr. Ali Bagheri, zëvendëssekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, u shpreh se Irani është i gatshëm ta shkurtojë afatin e propozuar për rihapjen e ngushticës – nga shtatë ditë pas heqjes së sanksioneve ekonomike, në katër ditë.
Si një tjetër shenjë fleksibiliteti, Irani ka filluar të pranojë se luan një rol ndërmjetësues në konfliktin paralel në Jemen.
Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, u takua të martën me ambasadorin e Houthëve në Iran, Ibrahim al-Dulaimi.
Takimi u zhvillua 24 orë pasi një delegacion i nivelit të lartë nga Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani udhëtoi drejt Teheranit për të diskutuar kushtet e Arabisë Saudite për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen, si dhe për të diskutuar mbi një arkitekturë sigurie afatgjatë për rajonin.
Irani i mbështet Houthët dhe ka fuqinë të ushtrojë ndikim mbi ta, përfshirë hartimin e propozimeve që nuk shkojnë deri te një fitore ushtarake e Houthëve – një skenar që shumëkush e konsideron të pamundur për t’u arritur.
Në këmbim, Houthët kërkojnë që Arabia Saudite të heqë atë që ata e konsiderojnë si një bllokadë detare dhe ajrore mbi territoret nën kontrollin e tyre.
Irani arriti të shmangte me sukses diskutimin mbi programin e tij bërthamor gjatë takimit me Turqinë, Arabinë Saudite dhe Pakistanin.
Në vend të kësaj, ai siguroi që vëmendja të përqendrohej në një diskutim më të gjerë mbi një vizion afatgjatë për sigurinë rajonale – një vizion që do të përfshinte shtetet e Gjirit dhe Iranin, duke synuar gjithashtu reduktimin ose dhënien fund të pranisë së SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Një pakt i ri mos-agresioni, në të cilin Irani nuk do të ishte më i izoluar nga pjesa tjetër e vendeve të Gjirit – siç ka ndodhur që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 – do të përmbushte objektivin më të lartë strategjik të Iranit.
Një angazhim i përbashkët ndaj këtij qëllimi, i ndërmarrë nga gjashtë shtete të Gjirit, mund ta bënte më të lehtë për Iranin pranimin e koncesioneve taktike – ndoshta të vështira – që do t’i kërkoheshin lidhur me programin e tij bërthamor.
Një nga mbështetësit kryesorë të këtij plani gjithëpërfshirës sigurie, ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, u shpreh se beson që administrata amerikane e kupton se ky është drejtimi në të cilin po ecën rajoni.
Ai deklaroi: “Besoj se, nëse Irani përfshihet plotësisht në këtë vizion – ku të gjithë ne, tetë vende, jetojmë në paqe me pjesën tjetër të botës – potenciali ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm, si për ne në rajon, ashtu edhe për ata jashtë tij që zgjedhin të bëhen pjesë e këtij zhvillimi. Këtë e kemi diskutuar gjerësisht gjatë bisedimeve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe mendoj se ekziston një konsensus se ky do të jetë drejtimi që do të ndiqet, pasi të arrihet një marrëveshje përfundimtare”.
Gjatë një aktiviteti të transmetuar në televizion në Iran këtë javë, Araghchi theksoi rëndësinë që ka për Iranin një pakt i ri sigurie për periudhën pas-luftës, duke thënë: “Kohët e fundit është folur për një luftë të re, por unë po mendoj tashmë për periudhën pas-luftës. Pavarësisht nëse do të ketë luftë apo jo, politikat tona mbeten të njëjta”. /Telegrafi/

