Botës po i mbaron koha për të shmangur përfundimin më të keq të mundshëm – një luftë që kërcënon të ardhmen e demokracisë në mbarë botën.
Nga: Garry Kasparov / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Evropa është e paaftë të zhvillojë luftë. Kjo m’u vërtetua në mënyrë tragjike në Forumin e Sigurisë të Varshavës – konferenca kryesore vjetore e sigurisë për udhëheqësit e Evropës Qendrore dhe Lindore. Kishte një ndarje të dukshme mes kontributeve të komandantëve ushtarakë, të cilët përballen përditë me realitetin e luftës në rritje me Rusinë, dhe politikanëve të BE-së të cilët ndodhen në një largësi të sigurt nga faktet në terren dhe që janë të zënë me hartimin e planeve pesëvjeçare dhe dhjetëvjeçare të ndara nga kërcënimi. Kishte gjithashtu një ndarje mes qasjeve të vendeve kufitare, të cilat nuk kanë asnjë distancë për mbrojtje nga regjimi i Putinit, si dhe pjesës tjetër. Por, nëse atmosfera e përgjithshme e konferencës është ndonjë tregues i aftësisë së Evropës për t’iu përgjigjur sfidës së sigurisë së këtij momenti, u largova krejtësisht i zhgënjyer.
Lufta në shkallë të plotë kundër Ukrainës, e cila tani mund të përshkruhet më mirë si lufta e Putinit kundër Perëndimit, vazhdon prej gati pesë vjetësh. Kam shkruar se dështimi për ta ndalur agresionin e Putinit do të ketë pasoja jo vetëm gjatë konfliktit, por edhe për dekada të tjera pas tij. Putini ka vënë në provë institucionet perëndimore dhe ka ndërtuar kapacitetin e tij për të ndërmarrë një sulm frontal ndaj vlerave të tyre.
Dhe, kostoja e ndalimit të tij vetëm sa është rritur, nga çdo mundësi e humbur, kështu që sakrificat që mund të ishin parandaluar – po të ishte ndërhyrë vite më parë – tani janë të pashmangshme. Botës po i mbaron koha për të shmangur përfundimin më të keq të mundshëm të këtij konflikti – një luftë që përfshin gjithë Evropën dhe kërcënon të ardhmen e demokracisë si në Kontinent, ashtu edhe në mbarë botën.
Teksa viti i pestë i luftimeve po zvarritet, Ukrainën e pret një dimër i tmerrshëm. Situata është e qartë: nëse Ukraina nuk merr menjëherë nga Evropa financimin dhe armët që i nevojiten, ajo do të humbasë.
Aktualisht, Evropa nuk po siguron as burime të mjaftueshme mbrojtëse, e lëre më ato që nevojiten për të ndërmarrë një sulm vendimtar kundër Moskës. Udhëheqësit e saj vazhdojnë të kërkojnë një rrugë të mesme të rehatshme mes zhvillimit të luftës dhe vazhdimit të punëve si zakonisht. Pafuqia evropiane është edhe më e rrezikshme sot, sepse ndodh në sfondin e mungesës së Amerikës. Te kjo administratë nuk mund të mbështetemi (pavarësisht se çfarë ndodh në zgjedhjet e ardhshme të ndërmjetme); ajo është tërësisht e korruptuar, e pamoralshme dhe ndoshta madje e komprometuar.
Perspektiva e negociatave me Kremlinin është, natyrisht, asgjë më shumë sesa një iluzion ngushëllues. Politikanët evropianë, në kuadër të planeve shumëvjeçare që paraqitën në Varshavë, vazhdojnë t’i referohen një periudhe idilike të “pasluftës”, gjatë së cilës do të realizojnë kuotat e prodhimit, modernizimet ushtarake dhe ambiciet e tjera që kanë hedhur në letër.
Nëse vazhdon gjendja e tanishme, nuk do të ketë “pasluftë”, të paktën jo një të tillë që t’i ngjajë sadopak botës në të cilën jetojmë tani. Putini do t’i diktojë kushtet. Do të jetojmë në një rend të ri botëror, të mbizotëruar nga autoritarët dhe agjendat e tyre.
Lufta e Putinit kundër Perëndimit është pikërisht luftë për ta përmbysur rendin ekzistues demokratik. Ai e ka thënë këtë haptazi për vite të tëra – së fundmi gjatë paraqitjes së tij në Valdai, një institut studimor dhe forum diskutimi me seli në Moskë, ku kritikoi zgjerimin e NATO-s dhe “hegjemoninë” perëndimore.
Është luftë që po zhvillohet në terren në Ukrainë, por që njëkohësisht po bëhet përmes sulmeve kibernetike, një rrjeti të milicive në hije dhe financimit të partive ekstremiste politike në disa kontinente. (Vetëm javën e kaluar, sulme të lidhura me hakerët rusë e çrregulluan shpërndarjen në një zinxhir të madh supermarketesh holandeze dhe prishën ushqime në qindra dyqane franceze duke rritur temperaturat e frigoriferëve.)
Ndonëse sulmet janë të shumëllojshme dhe të shpërndara, ekziston një strategji e përgjithshme e qartë. Putini, ndryshe nga Evropa, ka një plan dhe ky plan nuk përfshin negociata me mirëbesim me Perëndimin. Prej vitesh, madje dekadash, Putini po zhvillon qëllimisht dhe me llogari luftën, teksa Evropa hidhet nga një masë gjysmake ndëshkuese te një përpjekje tjetër për pajtim. Tani kemi kryeministrin norvegjez, Jonas Stoere, dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb, të cilët po bien në kurth dhe po zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta telefonike me Putinin, ndërsa Stubb këmbëngul se “përfundimi i luftës kërkon dialog të drejtpërdrejtë”.
Mjaft më. Kemi arritur në një moment vendimtar: në vitin 2027, nëse Evropa nuk e shfrytëzon mundësinë e saj të fundit për të ndërmarrë kundërsulmin e vet, Ukraina do të humbasë dhe do të nisë kapitulli tjetër i luftës së Putinit.
Putini tashmë ka pushuar së dhëni përparësi sulmeve në vijën e frontit për të pushtuar më shumë territor ukrainas. Teksa ato vazhdojnë në mënyrë automatike, ai e ka zhvendosur strategjinë e tij kryesore drejt bërjes së Ukrainës të pabanueshme për civilët – duke sulmuar spitalet, infrastrukturën bujqësore dhe rrjetet e saj elektrike. Që nga tërheqja e Amerikës, Ukraina varet tërësisht nga Evropa për burime dhe Putini ka llogaritur se ato burime do t’i mbarojnë.
Zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2027, në disa vende, vetëm kërcënojnë ta shtyjnë Evropën nga gjendja e saj e tanishme e ambivalencës pa drejtim, drejt braktisjes së plotë të Ukrainës. Trazirat që po shohim sot në mbarë Kontinentin, me votues të zemëruar për ekonominë, shërbimet publike dhe mungesën e banesave, paralajmërojnë rezultate zgjedhore të cilat mund ta shkatërrojnë plotësisht qendrën politike.
Edhe sikur vetëm Franca të bjerë në duart e së djathtës ekstreme, vetëm ardhja e Le Penit në pushtet do ta copëtonte koalicionin e brishtë që mban të bashkuar njëfarë niveli mbështetjeje për Ukrainën. Putini i ka bërë këto llogari, sepse mendon përpara. Evropa po vuan për të kapur hapin, e madje edhe këtë e bën vetëm herë pas here.
Heroizmi ukrainas, sado frymëzues që është, nuk do ta fitojë i vetëm këtë luftë. Ukrainasit u përpoqën me trimëri dhe, me një mbështetje më vendimtare nga Perëndimi, mund ta kishin frenuar përparimin e Putinit kundër demokracisë perëndimore. Vendi ka paguar me vuajtje të pallogaritshme për dobësinë e Evropës. Është koha që kjo gjakderdhje të ndalet.
Asnjë masë e vetme që kam propozuar në artikujt e mi të shumtë, me thirrje për veprim, nuk është zbatuar. Asnjë. Sot nuk kam nevojë të shkruaj ndonjë listë. Evropës i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë që t’ia japë Ukrainës mundësinë për ta fituar këtë luftë, e cila po zhvillohet në emër të çdo demokracie në mbarë botën: të zhbllokojë fondet sovrane ruse që ruhen në Belgjikë dhe të gjejë mënyra praktike për t’i përdorur ato para për ta armatosur dhe mbështetur Ukrainën.
Nëse kjo nuk bëhet, humbja e afërt e Ukrainës – dhe kalimi i pashmangshëm i luftës së Putinit në arenën e saj të ardhshme – do ta lërë Evropën politikisht të parëndësishme dhe të pafuqishme për të ndikuar në formësimin e së ardhmes. /Telegrafi/

