Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se dikasteri që drejton nuk pret të humbë mjete financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe fondet e programit IPA, pavarësisht ngecjeve politike dhe vonesave në procedimin e reformave. Pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media, Pacolli ka thënë se janë ndërmarrë hapa për t’i përmbushur kërkesat dhe për t’i siguruar fondet.
Ajo ka thënë se një nga çështjet që duhej të procedohej lidhet me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Ndryshimet Klimatike, për të përfshirë një kriter për menaxhimin, trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave.
“Tani, unë mundem me fol vetëm për fushën të cilën e mbuloj si ministri e mjedisit. Tek ne ka qenë problemi që nëse nuk do të kishim Kuvend, ne nuk do të arrinim ta vendosnim një kriter të veçantë që është një masë, të themi, që i bjen për menaxhimin e trajtimit, riciklimin e mbeturinave, në ligjin për ndryshimet klimatike; pra, në ligjin e klimës. Dhe në këtë rast ne kemi bërë këtë ndryshim plotësim, e kemi dërguar, dhe shumë shpejt do të vjen edhe në qeveri dhe në Kuvend, kështu që i kemi zënë afatet. Zyra e BE-së është në kontakt të vazhdueshëm me neve, që fondet të cilat edhe prej Planit të Rritjes, edhe fondi IPA-s, të kanalizohen në projektet të cilat ne i kemi prioritet, kështu që sa i përket dikasterit tim, aktualisht nuk është që do të humbim ndonjë mjet nëpërmes planit të rritjes dhe fondeve të IPA-s”, tha ajo.
Pacolli ka theksuar se shqetësimi kryesor kishte qenë pamundësia e procedimit të marrëveshjeve në Kuvend në mungesë të institucioneve funksionale, por ka thënë se tashmë janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar financimin.
“Është shqetësimi ynë ka qenë që, sikur të mos kemi qeveri, ne nuk do të arrijmë t’i procedojmë disa marrëveshje në Kuvend, dhe ne tani po i marrim të gjitha masat, dhe menjëherë i kemi proceduar shumicën e gjërave që nevojiten për me siguruar fondin e rritjes dhe fondet që vijnë prej programit IPA. Kështu që saktësisht me vlera nuk mundem, se s’ka përllogaritje, sepse në momentin kur ka, në fakt, nuk ka përllogaritje aktuale, sepse ne po synojmë me i siguruar të gjitha fondet, sepse tani kemi qeveri edhe kemi Kuvend, edhe mund t’i procedojmë tutje marrëveshjet, edhe ndryshimet, çfarëdo që kërkohet prej neve”, tha ajo. /eo

