Komiteti Disiplinor i Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF) ka mbyllur procedurën e nisur ndaj Barcelonës, pas ankesës së paraqitur nga Atletico Madridi.
Organi drejtues i futbollit spanjoll e ka gjobitur klubin katalunas me vetëm 602 euro për shkeljen e rregullave gjatë afrimit te sulmuesi argjentinas, Julian Alvarez.
Drejtuesit e Atletico Madridit iu drejtuan autoriteteve sportive në fund të korrikut, pasi besonin se Barcelona kishte kontaktuar në mënyrë të parregullt me futbollistin.
Sipas Rregullores së Përgjithshme, çdo klub që dëshiron të transferojë një futbollist profesionist, i cili ka kontratë aktive me një klub tjetër, duhet fillimisht ta njoftojë me shkrim klubin e tij aktual për interesimin dhe synimet e veta.
Vendimi i federatës e ndëshkon Barcelonën në bazë të nenit 133 të Kodit Disiplinor, i cili lidhet me mosrespektimin e detyrimeve rregullative.
Shkelja është klasifikuar si e lehtë, duke bërë që gjoba të kufizohet në shumën maksimale të paraparë nga kjo dispozitë.
Me këtë vendim, Barcelona i ka shpëtuar sanksioneve më të rënda sportive, siç do të mund të ishin ndalimet për zyrtarët e klubit apo mbyllja e pjesshme e stadiumit.
Në anën tjetër, Atletico Madridi ka arritur të marrë një njohje zyrtare të shkeljes së pretenduar, por ndëshkimi ndaj Barcelonës ka mbetur simbolik, me vetëm 602 euro gjobë.

