KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Fotografia më e mirë e Federico Veronesit

Fotografia më e mirë e Federico Veronesit

“Ajo e mbajti këlyshin e ngordhur për orë të tëra, edhe pse nuk ishte i saji. Kishte pësuar një abort spontan dy vjet më parë – dhe tani merrte këlyshët e lindur të ngordhur të nënave të tjera”.

Intervistë me fotografin Federico Veronesi
Intervistoi: Chris Broughton / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Dashuria ime për kafshët afrikane, në veçanti për elefantët, daton që kur isha tre ose katër vjeç, duke u rritur në Milano, në një shtëpi plot me libra të vjetër për natyrën. Kur isha gjashtë vjeç, prindërit më çuan në safarin tim të parë në Kenia – qava në aeroplan gjatë kthimit në shtëpi, duke ndier sikur po më shkëpusnin nga savana që kisha ëndërruar, një vend të cilin vërtet e doja. Por, prej 20 vjetësh, pikërisht atje jetoj, duke udhëhequr fotografë në Rezervatin Kombëtar Masai Mara dhe në vende të tjera të Afrikës.

Kam kaluar kohë duke fotografuar kafshë të tjera, veçanërisht macet e mëdha, por elefantët mbeten subjekti im i parapëlqyer. Ata kanë një prani të jashtëzakonshme, e mbizotërojnë peizazhin dhe e bëjnë atë të marrë jetë. Më pëlqen t’i ndjek në habitate të ndryshme. Janë jashtëzakonisht të përshtatshëm – në Kenia lidhen me savanën dhe pyjet e akacieve, por mund të jetojnë edhe në zona jashtëzakonisht të thata – si në shkretëtirat e Namibisë, ku u bë kjo fotografi.

Isha atje shtatorin e kaluar, duke udhëhequr një grup fotografësh. Kishim ndjekur një grup elefantësh që ecnin përgjatë shtratit të tharë të një lumi, teksa binte nata. Edhe pse në këta lumenj nuk ka ujë, ruajnë njëfarë bimësie dhe shërbejnë si burim jetik për elefantët të cilët i ndjekin nga kodrat në perëndim drejt Oqeanit Atlantik.

Meqë lumi kishte shtrat ranor, ishte mjaft e lehtë t’i ndiqnim gjurmët e tyre derisa i gjetëm përsëri të nesërmen. Por, mes gjurmëve kishte diçka mjaft të pazakontë, si një shenjë zvarritjeje. Ndonjëherë elefantët meshkuj, kur kanë shumë testosteron, bëjnë gjëra të çmendura për të treguar fuqinë e tyre dhe për t’i frikësuar kundërshtarët – më parë kisha parë njërin të ngrinte një trung, ndaj mendova se mbase kjo ishte gjëja që po tërhiqej zvarrë.

Vazhduam me makinë derisa i gjetëm dhe atëherë kuptova se njëra nga femrat po mbante një këlysh. Kur njerëzit e shohin këtë fotografi, ndonjëherë mendojnë se paraqet një elefant të vogël duke përqafuar nënën e vet, por në të vërtetë këlyshi është i ngordhur dhe këmba që nuk shihet ka ngecur mes dhëmbit të fildishtë dhe feçkës së elefantit të rritur. Ndërsa po bëja këtë fotografi, një elefant tjetër po afrohej dhe femra e lëkundi kokën në mënyrë që këlyshi të ngrihej lart dhe t’i hapej rruga. Kam fotografi të tjera që e bëjnë më të drejtpërdrejtë leximin e skenës, por kjo e lë interpretimin të hapur dhe i shton një shtresë misteri.

Lexo po ashtu:
– Fotografia më e mirë e Chris Fallowsit: Një peshkaqen i bardhë i madh fluturues!
– Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Barbara Bosworthit
– Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore
– Fotografia më e mirë e realizuar nga Richard Mosse: Autostrada e Amazonës nëpër ferr
– Fotografia më e mirë e Adam Fergusonit: Emigrantja që rrezaton qetësi
– Fotografia më e mirë e Jordi Barreras: Boshllëku i çuditshëm i qytetit që grumbullon pasuri!
– Fotografia më e mirë e Mous Lamrabatit
– Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

E ndoqëm tufën për disa orë dhe femra e mbajti këlyshin gjatë gjithë kohës, duke e lënë përtokë vetëm që ajo të mund të ushqehej, përpara se ta merrte sërish dhe të vazhdonte rrugën. Ajo ende po e mbante kur e pamë për herë të fundit – më në fund, elefantët nisën të ngjiteshin në disa kodra shkëmbore ku ne nuk mund t’i ndiqnim.

Që atëherë kam lexuar se 17 nga 19 këlyshët e lindur në atë zonë, gjatë katër vjetëve të fundit, nuk kanë mbijetuar. Është e qartë se ka një problem, por studiuesit ende nuk e kanë të qartë pse po ndodh kjo. Megjithatë, ajo që ka dalë në dritë është se elefantja që mbante këlyshin nuk ishte nëna e tij, siç kisha menduar. Gjëndrat e saj të qumështit nuk ishin të fryra, siç do të kishin qenë po të kishte lindur së fundmi, dhe studiuesit arritën ta identifikonin si një femër që kishte pësuar një abort spontan dy vjet më parë dhe që, që atëherë, ishte parë duke marrë këlyshët e lindur të ngordhur të nënave të tjera. Në njëfarë kuptimi, kjo e bën fotografinë edhe më të thellë dhe më domethënëse, pasi lë të kuptohet se ajo ndoshta ende nuk e ka kapërcyer atë traumë.

Shumica e fotografive të mia me elefantë janë bardhezi. Ndonjëherë përdor ngjyrat – në Tsavo të Kenias, elefantët shpesh mbulohen me dhe të kuq, gjë që krijon një kontrast të fortë me bimësinë e gjelbër, ndërsa në Etosha të Namibisë ka një vend ku ata shkojnë te një pellg uji plot me argjilë të bardhë dhe përfundojnë duke u dukur si fantazma. Por, me bardhezi nxjerr në pah strukturën e lëkurës së elefantëve dhe gjithashtu, si këtu, largoj elementet shpërqendruese dhe shfaq emocionin në një mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Kjo është një fotografi e dhimbshme për t’u parë, por në të njëjtën kohë zbulon shumë nga psikologjia e elefantëve, kompleksiteti i tyre i brendshëm, personaliteti dhe ndjenjat e tyre. Këtu shohim një krijesë që ndien po aq sa ne, që përjeton të njëjtin pikëllim nga humbja e një këlyshi, të njëjtën ndjenjë të mosdashjes për ta lëshuar. Shpresa ime është që fotografitë si kjo t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se sa e rëndësishme është të bashkëjetojmë në paqe dhe me respekt me kafshët të cilat nga jashtë duken ndryshe nga ne, por nga brenda janë shumë të ngjashme.

Kjo fotografi është fituese e titullit të madh në kategorinë e të rriturve të konkursit Fotografi i Vitit i Botës së Egër [Wildlife Photographer of the Year]. Ekspozita është e hapur në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër deri më 11 korrik 2027.

CV-ja e Federico Veronesit

Lindur: Në Milano, Itali, më 1975. U shpërngula në Kenia në vitin 2002.
Kulmi i karrierës: Ndoshta ky çmim dhe tre librat që kam botuar.
Këshilla kryesore: Eksploroni mënyrat për t’ia përcjellë emocionin shikuesit përmes fotografive tuaja, duke zgjedhur me kujdes dritën, atmosferën, këndin e fotografimit, kornizimin, sfondet e kështu me radhë.

/Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.