Komisioni Zgjedhor Republikan ka publikuar rezultatet e para nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas të cilave lista e Aleksandar Vuçiq ka aktualisht 141 ulëse në Parlamentin prej 250 ulësesh, ndërsa Lista Studentore 95.
Rezultatet vijnë nga 203 prej 8 392 vendvotime ose 2.04 për qind.
Tetëmbëdhjetë lista garojnë për 250 ulëse në Parlament, në mesin e tyre edhe Koalicioni Shqiptar nga Lugina e Preshevës me numrin 17.
Sipas Ipsos dhe CeSID, 67,6 për qind e votuesve kishin votuar deri në orën 19:00. Në zgjedhjet e mëparshme, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00 ishte 55,9 për qind.
Gjithsej 6,45 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Për hyrje në parlament kërkohet një prag zgjedhor prej tre për qind, me përjashtim të listave të komuniteteve.
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi se, deri në orën 20:00, kishte regjistruar mbi 300 raporte për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në faqen e saj të internetit, organizata vuri në dukje se çështjet më të theksuara përfshinin parregullsi në organizimin e votimit jashtë qendrave të votimit, raste të votimit pa paraqitur dokument identifikimi, si dhe raste të përsëritura ku votuesit fotografonin fletëvotimet e tyre, apo votim në grup ose familjar.

