KORREKT / SOT25 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Ndryshimet në gjak mund të zbulojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve deri në dhjetë vjet para diagnozës

Ndryshimet në gjak mund të zbulojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve deri në dhjetë vjet para diagnozës

Sistemi imunitar i njerëzve që më vonë zhvillojnë sëmundjen e Crohn-it ose kolitin ulceroz pëson ndryshime deri në dhjetë vjet para se të diagnostikohen, dhe këto ndryshime mund të vërehen në gjak.

Këtë e tregojnë rezultatet e një studimi të prezantuar në kongresin evropian të gastroenterologjisë, UEG Week, në Barcelonë.

Studiuesit analizuan 2.000 mostra gjaku nga 500 persona.

Foto ilustruese

Prej tyre, 200 persona u diagnostikuan më vonë me sëmundjen e Crohn-it, 200 me kolit ulceroz, e 100 të tjerë ishin persona të shëndetshëm, me moshë dhe gjini të ngjashme.

Mostrat ishin marrë në kohën e diagnostikimit, si dhe rreth dy, katër dhe dhjetë vjet më parë.

Në kuadër të studimit, u analizua mënyra se si antitrupat reagonin ndaj rreth 357.000 antigjeneve të ndryshme, përfshirë pjesë të baktereve, viruseve, ushqimeve dhe vetë organizmit.

Në total, studiuesit identifikuan afro 124.000 antitrupa të ndryshëm.

Më pak larmi antitrupash

Te personat që më vonë zhvilluan sëmundje inflamatore të zorrëve, larmia e antitrupave ishte dukshëm më e vogël krahasuar me personat e shëndetshëm.

Ky dallim ishte i dukshëm edhe dhjetë vjet para diagnozës.

Te personat që më vonë u diagnostikuan me sëmundjen e Crohn-it, antitrupat reagonin më fuqishëm ndaj viruseve herpes dhe flagelinës, një proteinë e baktereve.

Kjo ishte veçanërisht e theksuar te personat që më vonë zhvilluan një formë më të rëndë të sëmundjes.

Ndërkaq, te personat që zhvilluan kolit ulceroz, u vu re një rritje e reagimit të antitrupave ndaj viruseve herpes dhe proteinave të vetë organizmit.

Një model kompjuterik i krijuar mbi bazën e këtyre të dhënave arriti të dallonte me saktësi të lartë personat që më vonë do të zhvillonin sëmundjet nga ata të shëndetshëm, deri në dhjetë vjet përpara diagnozës.

Modeli mori vlerësimin 0,90 për sëmundjen e Crohn-it dhe 0,84 për kolitin ulceroz, në një shkallë ku 1 nënkupton dallim të përsosur, ndërsa 0,5 përfaqëson parashikimin rastësor.

“Një formë e ndërlikuar e sëmundjes së Crohn-it në momentin e diagnozës lidhet me një profil të veçantë të antitrupave, i cili është i pranishëm vite përpara shfaqjes së simptomave”, deklaroi autori kryesor i studimit, Arno Bourgonje.

Testi ende nuk është gati për përdorim

Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet e studimit nuk janë ende të mjaftueshme për të krijuar një test që mund të përdoret në praktikën e përditshme mjekësore.

Përpara se një test i tillë të vihet në përdorim, rezultatet duhet të konfirmohen te grupe të tjera, më të larmishme njerëzish, të cilët duhet të ndiqen për një periudhë të gjatë.

Gjithashtu, studiuesit duhet të përcaktojnë nëse ky test ofron përparësi ndaj treguesve gjenetikë dhe klinikë që përdoren aktualisht, si dhe të zhvillojnë një metodë testimi të besueshme dhe me kosto të përballueshme.

Në vitin 2025, Bourgonje dhe kolegët e tij nga Qendra Mjekësore Universitare e Groningenit publikuan gjithashtu një studim në revistën shkencore Gut, ku kishin identifikuar ndryshime në antitrupa te personat që kishin zhvilluar sëmundje inflamatore të zorrëve disa vite pas marrjes së mostrave të gjakut. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.