Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Nexhat Xhoklit, i cili për vite me radhë kontribuoi në gazetari, komunikim publik dhe art.
Në telegramin e ngushëllimit, AGK-ja e ka kujtuar Xhoklin si një zë të njohur të radios, aktor dhe ish-zyrtar për informim në Rajonin e Ferizajt të Policisë së Kosovës.
Sipas AGK-së, ai dha kontribut të rëndësishëm në fushën e komunikimit dhe informimit publik, fillimisht përmes angazhimit në radio, e më pas në Policinë e Kosovës, ku shërbeu si ndërlidhës ndërmjet institucionit, gazetarëve dhe publikut.
Përveç veprimtarisë në komunikim dhe informim, Xhokli la gjurmë edhe në jetën kulturore dhe artistike të vendit, veçanërisht në teatër, ku kaloi dekada të angazhimit të tij.
AGK-ja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Xhokli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

