Afaristi dhe veprimtari shqiptar, Muharrem Salihu, ka shprehur shqetësimin e tij për praninë e madhe të forcave ushtarake serbe në Medvegjë gjatë votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare sot në Serbi.
Salihu thotë se kjo është një pamje trishtuese dhe shqetësuese për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone.
“Sot votova në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, në vendlindjen time, për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ajo që pashë dhe përjetova sot nuk ishte thjesht një ditë zgjedhjesh. Në qendër të qytetit të Medvegjës kishte prani të madhe të forcave ushtarake serbe. Në qendrat e votimit, përfaqësimi i shqiptarëve në komisione ishte tejet i pakët, me një raport që, sipas vëzhgimit tim, arrinte afërsisht një me tetë në raport me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera”.
Salihu ka përmendur pasivizimin masiv të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, përmes të cilit shumë prej tyre janë privuar nga mundësia për të votuar.
“Pavarësisht se çfarë rezultati do të sjellin këto zgjedhje për jetën politike të Serbisë, një çështje mbetet thelbësore: Bashkimi Evropian dhe i gjithë faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëjnë të qartë Beogradit se Serbia është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, jo vetëm i serbëve. Të gjithë duhet të ndihen të lirë, të barabartë dhe të sigurt, pa dallime etnike. Kjo vlen, para së gjithash, edhe për shqiptarët, të cilët janë popull autokton në këto troje. Medvegja nuk është thjesht një vend në hartë. Është histori, identitet, kujtesë dhe e drejtë për të jetuar të lirë në vendin tënd. Sot votuam për të dëshmuar praninë tonë. Nesër duhet të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona me këmbëngulje, dinjitet dhe vendosmëri, sepse prania jonë nuk mund të fshihet me një vendim administrativ dhe të drejtat tona nuk mund të zhduken me pasivizimin e adresave. Medvegja meriton drejtësi. Shqiptarët e Medvegjës meritojnë barazi dhe dinjitet!”

