Sot në qendër të Beogradit janë parë disa automjete të Xhandarmërisë për shpërndarjen e demonstruesve dhe zmbrapsjen e protestuesve. Automjete të tilla u përdorën verën e kaluar në Novi Sad, gjatë zmbrapsjes së turmës së qytetarëve nga bulevardet e Novi Sadit, raporton N1.
Në kryqëzimin e rrugëve Kneza Milosha dhe Kralja Milana sot janë filmuar disa automjete të Xhandarmërisë për shpërndarjen e demonstruesve, të cilat u nisën drejt Terazijes. Automjetet u lejuan të kalonin përmes bllokadës policore, me të cilën ishte mbyllur qarkullimi në rrugën Kneza Milosha.
Siç raportojnë disa media në Serbi, sot më herët, në autostradën Beograd–Nish, është parë një kolonë prej rreth 20 automjetesh të Xhandarmërisë, të cilat po lëviznin në drejtim të Beogradit.
Automjetet që sot dolën në rrugët e Beogradit, qytetarët i panë për herë të parë gjatë protestave të verës së vitit 2025 në Novi Sad, kur u përdorën për zmbrapsjen e demonstruesve nga bulevardet dhe rrugët e gjera. Në to ndodheshin atëherë pjesëtarë të Xhandarmërisë.

