Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje me policinë, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Rama ka bërë të ditur se paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore, të cilat, sipas tij, synojnë të parandalojnë dhunën, të garantojnë sigurinë publike dhe të sigurojnë që dëmet e shkaktuara të paguhen nga personat përgjegjës.
“Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se përgjegjësia do të jetë individuale dhe se masat kufizuese do të jenë të përkohshme dhe nën kontrollin e gjykatës.
Një nga masat kryesore të paralajmëruara është dëmshpërblimi për bizneset e vogla që janë dëmtuar gjatë protestave. Sipas Ramës, shteti do të mbulojë nga 70 deri në 100 për qind të dëmeve materiale, në varësi të kritereve që do të përcaktohen, për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.
Në të njëjtën kohë, paketa parasheh një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për personat e përfshirë në akte dhune urbane, ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesit dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.
Gjobat deri në 5,500 euro për shkeljet e rregullave të tubimeve
Sipas masave të shpjeguara nga Rama, personat që qëndrojnë në një tubim të dhunshëm edhe pas paralajmërimit të policisë për t’u larguar mund të gjobiten deri në 500 mijë lek rreth 5,500 euro, nëse plotësohen kushtet e parashikuara.
Për pjesëmarrjen në tubime pa leje ose mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për t’u larguar, janë paralajmëruar gjoba nga rreth 110 deri në 1,100 euro.
Ndërsa fshehja e identitetit gjatë tubimeve, pas urdhrit për shpërndarje, mund të ndëshkohet me gjobë deri në rreth 5,500 euro. Për bllokimin e qarkullimit është paralajmëruar gjobë prej rreth 55 eurosh për pjesëmarrës.
Rama ka theksuar se gjobat nuk do të zbatohen vetëm për faktin se dikush merr pjesë në protestë, por do të lidhen me sjelljen individuale dhe shkeljet përkatëse. Gazetarët, mjekët, vëzhguesit, punonjësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm janë përmendur si kategori të përjashtuara nga masa për qëndrimin në një tubim të dhunshëm.
Kufizime deri në 72 orë pranë institucioneve
Ndryshimet e propozuara në ligjin për tubimet parashohin gjithashtu mundësinë që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë brenda një perimetri të caktuar pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe pasurive të trashëgimisë kulturore, kur ekziston rrezik real për sigurinë.
Për personat e mitur, Rama ka thënë se gjobat për pjesëmarrjen e të miturve mbi moshën 14-vjeçare në protesta të dhunshme mund të paguhen nga prindërit ose kujdestarët, sipas parashikimeve ligjore.
Paketa parashikon edhe masa lidhur me thirrjet për dhunë në rrjetet sociale. Sipas kryeministrit, fillimisht mund të kërkohet fshirja e postimeve dhe mos përsëritja e sjelljes, ndërsa në rast të mosrespektimit ose përsëritjes mund të nisë procedimi penal.
Rama: Dorëheqja nuk mund të imponohet me dhunë
Duke iu referuar kërkesave për dorëheqjen e tij, Rama ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë qeverinë dhe të protestojnë për një qeveri tjetër, por ka theksuar se një kërkesë e tillë nuk mund të imponohet përmes dhunës.
Ai është shprehur se është i gatshëm të dëgjojë qytetarët dhe kërkesat e tyre, ndërsa ka theksuar se qeveria ka përgjegjësi të mbrojë rendin, sigurinë dhe pronën publike e private.
Paketa e re ligjore vjen pas përplasjeve të së shtunës në Tiranë. Masat e njoftuara nga Rama janë paraqitur si propozime për ndryshime ligjore; zbatimi i tyre do të varet nga procedurat përkatëse të miratimit dhe hyrjes në fuqi./Telegrafi/
Shënim: Këto shuma janë konvertuar përafërsisht nga lekë shqiptarë në euro, me një kurs orientues prej 1 euroje për rreth 90.75 lekë. Vlerat janë të përafërta dhe mund të ndryshojnë sipas kursit të këmbimit.

