Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, për të gjetur shtatë persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur.
Pamjet dramatike tregojnë momentin kur kati i poshtëm i ndërtesës, e cila mendohet të ketë pasur 16 deri në 18 kate, shembet, duke bërë që i gjithë objekti të rrëzohet dhe të ngrejë një re të madhe pluhuri në rrugët përreth.
Dhjetëra punëtorë ndërtimi po punonin në katet e sipërme në momentin e shembjes, por arritën të dalin nga ndërtesa kryesisht pa lëndime. Ndërsa personat që rezultojnë të zhdukur dyshohet se ndodheshin në dyqanet e hapura në katet e poshtme të objektit.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për cilësinë e ndërtimeve dhe zbatimin e rregullave të sigurisë në Kenia, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Ndërtesa ishte ende në ndërtim e sipër kur u shemb të premten pasdite. Në pamjet e publikuara shihet se skelat ishin ende të vendosura përgjatë pjesës së jashtme të objektit. Sipas zyrtarëve, në katet e poshtme të ndërtesës ishin hapur tashmë 11 dyqane.
Zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Kipchumba Murkomen, bëri të ditur se 66 nga gjithsej 67 punëtorët e ndërtimit që ndodheshin në objekt në momentin e shembjes arritën të shpëtonin pa lëndime. Një punëtor tjetër pësoi lëndime, por gjendja e tij nuk ishte kërcënuese për jetën.
Pamjet nga vendi i ngjarjes, në zonën e Eastleigh-ut në Nairobi, tregojnë pllakat e betonit të kateve të ndërtesës të grumbulluara njëra mbi tjetrën. Ekipet e shpëtimit po presin dhe largojnë pjesë metalike, në përpjekje për të arritur te personat që besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Operacioni i shpëtimit është vështirësuar nga shqetësimet se përdorimi i ekskavatorëve për largimin e rrënojave mund të kufizojë furnizimin me ajër të personave të bllokuar. Për këtë arsye, ekipet e emergjencës kanë ndërprerë përdorimin e tyre, raportoi gazeta Daily Nation.
Ndërkohë, kanë nisur të ngrihen pikëpyetje lidhur me shkaqet e shembjes së papritur dhe nëse ndërtesa i plotësonte kushtet dhe rregulloret e ndërtimit.
Autoriteti Kombëtar i Ndërtimit në Kenia bëri të ditur, përmes një deklarate, se kishte identifikuar kompaninë përgjegjëse për projektin, si dhe arkitektin dhe inxhinierin e strukturës. Megjithatë, autoriteti nuk sqaroi nëse kantieri ishte inspektuar para shembjes së së premtes.
Guvernatori i Nairobit, Sakaja Johnson, deklaroi për mediat lokale se pronarët e ndërtesës nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.
Ai i bëri thirrje qeverisë qendrore që t'u japë autoriteteve lokale më shumë kompetenca për të ndëshkuar «ndërtuesit që shpërfillin planet e miratuara të ndërtimit dhe standardet e sigurisë».
Shembjet e ndërtesave nuk janë të pazakonta në Nairobi, ku si faktorë që kontribuojnë në këto incidente shpesh përmenden cilësia e dobët e ndërtimeve dhe mosrespektimi i planeve urbanistike.

